Nga Elton Qyno
Silueta e biznesmenit Ervis Martinaj, është parë për herë të fundit në 7 Gusht 2022 në ambientet e një hoteli në plazhin e Durrësit dhe një ditë më pas, në 8 gusht 2022, imazhi i tij është parë në Tiranë në ambientet e një biznesi që ndodhet në zonën e “Zogut të Zi”.
“Ora News” mëson se të dyja pamjet filmike të kamerave të sigurisë së këtyre bizneseve, janë sekuestruar tashmë nga ana e prokurorisë së Laçit dhe po verifikohen me imtësi.
Të fundit që panë Martinaj
Ndërkohë personat e fundit, që ai ka qenë në shoqëri në datën 7 Gusht 2022 në Durrës, ishin Jeton Lami ndihmës specialist tek operacionalja e Policisë së Shtetit dhe një vajzë nga qyteti i Durrësit.
Dhoma në hotel rezulton të jetë marrë në emër të punonjësit të policisë, Jeton Lamit, i cili e ka çuar dhe atje.
Pas qëndrimit një natë atje, sërish Jeton Lami, me makinën tip “Audi A8” ka shkuar ka qëndruar disa momente me Martinaj në kafe dhe, është larguar së bashku me biznesmenin dhe vajzën në drejtim të Durrësit.
Vajza është identifikuar dhe marrë në pyetje, por as ajo dhe as Jeton Lami nuk kanë treguar se ku është transportuar më pas, Ervis Martinaj.
Ndërkohë kamera e një biznesi të njohur pranë “Zogut të Zi”, në Tiranë ka filmuar siluetën e Ervis Martinaj, mëson Ora News.
Ky është imazhi i fundit që policia, prokuroria dhe familjarët kanë për biznesmenin e lojrave të fatit.
Që pas këtij momenti të filmuar mbrëmjen e datës 8 Gusht 2022 nuk dihet asgjë rreth itinerarit dhe vendndodhjes së Ervis Martinaj.
Sipas policisë, Tirana dhe jo Durrësi, është vendi i fundit, ku është zhdukur Ervis Martinaj, ndërsa punonjësi i policisë Jeton Lami, nuk ka pranuar të flasë asnjë fjalë.
Në gjykate me jelek antiplumb
Lami është shoqëruar sot në gjykatë me jelek antiplumb, ndërsa veprimet e tij, ngelen të dyshimta pasi nuk dihet me saktësi se ku e ka çuar ekzaktësisht, biznesmenin Ervis Martinaj në Tiranë dhe roli i tij në këtë ngjarje të mbushur me mister. Ai deri në këtë fazë hetohet për “Shpërdorim detyre”
Zhdukja
Zhdukja e njeriut që në Shqipëri, konsiderohet si “Mbreti i Lojrave të Fatit”, tashmë ka hyrë në spiralen e çështjeve paralele të hetuara pa rezultat nga prokuroria shqiptare, si ajo e Eduard Belegut, Irena Selit, Remzi Hoxhës, Kleanthi Koçit, Albano Xhaferaj, Elvis Troqes, Leonard Mehmetit, Agron Molla, Gëzim Hysaj.
Prej 18 Majit 2022, Martinaj rezulton i shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme SPAK, në kuadër të operacionit “Plumbi i artë” për akuzën e “Sigurimit të mjeteve për të kryer vrasje” në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”, në dëm të Endrit Dokles. anëtar ky i një grupimi në Durrës dhe Tiranë, që njihet si “banda e Durrësit”.
Goditja
E teksa SPAK ka vijuar hetimet dhe policia operacionale, ka ndërmarrë disa operacione për arrestimin e Martinajt, në 17 Korrik 2022, Martinaj u godit mjaft rëndë, duke i ekzekutuar djalin e xhaxhait, Briland Martinaj, shokun Diklen Vatën dhe komshiun Besmir Hoxha.
Tre javë nga kjo goditje e rëndë, Martinaj, është zhdukur në mënyrë të mistershme në Tiranë, duke mos mundur të gjendet asnjë e dhënë për vendndodhjen e tij. Babai i Martinajt, Mustafa Martinaj, në prokurori ka drejtuar gishtin drejt Endrit Dokles si person përgjegjës.
Dokle është marrë në pyetje dhe ka treguar se gjatë gjithë kohës ka qëndruar në Tiranë, në banesën e tij. Madje ka kërkuar nga prokuroria e Laçit dhe Policia e Shtetit, që të hetojnë çdo gjë të mundshme për verifikimin e plotë të tij në këtë çështje kaq misterioze.
Konflikti i hapur mes Martinaj dhe Dokles, doli në sipërfaqe dhe publikisht, pas dëshmisë së Nuredin Dumanit, i cili ka treguar në SPAK se së bashku me Henrik Hoxhën ishte paguar 500 mijë euro nga Martinaj, për të vrarë Endrit Doklen.
Por ky nuk është rasti i vetëm që Martinaj ka konflikte, pasi një tjetër grup që njihet në Tiranë si “Klani Duka”, ka pasur mosmarrëveshje të theksuara me grupin e Martinaj, duke regjistruar dhe viktima.
Njëherësh Ervis Martinaj u përplas haptazi dhe me grupin e Ervis Matës në 4 Tetor 2018 në zonën e ish-bllokut, duke mbetur vetë i plagosur së bashku me Eljo Haton dhe i vrarë Fabian Gaxha.