Histori Esat Pasha dhe Presidenti Wilson: Një takim jo i zakontë

Esat Pasha dhe Presidenti Wilson: Një takim jo i zakontë

Nga Ilir Ikonomi

Në vitin 1919, kur në Paris do të vendoseshin fatet e botës së pasluftës, Presidenti amerikan Woodrow Wilson banonte në rezidencën ‘Prince Murat,’ një pallat i kohës napoleoniane.

Studion e tij e vizitonin çdo ditë disa prej njerëzve më të njohur të botës: presidentë, krerë kabinetesh, ambasadorë, shkencëtarë dhe shkrimtarë. Wilsoni shihej si simboli i drejtësisë dhe si mbrojtësi i madh i kombeve të vogla.

Esati ishte njëri prej atyre që kishin shprehur dëshirën për ta takuar presidentin amerikan dhe lutja e tij u dëgjua. Audienca me pashain u përfshi në axhendën e datës 17 prill të presidentit dhe ishte lënë për në orën 12 e 45 pasdite.

Pesë minuta përpara takimit me Wilsonin, Esati ndodhej në paradhomën e presidentit bashkë me përkthyesin Stavro, i cili përveç shqipes, fliste mirë frëngjishten, greqishten dhe turqishten.

Kur ishte duke pritur, Esati u kujtua se presidenti Wilson nuk dinte frëngjisht, prandaj e porositi Stavron të shkonte e të merrte një përkthyes të anglishtes në Hotel de Crillon, ku kishte selinë delegacioni amerikan i paqes. Njëri prej sekretarëve e ndali dhe i tha: Presidenti vërtet nuk e flet frëngjishten, por e kupton, prandaj një përkthyes i dytë do të ishte i panevojshëm.

Kur u bë takimi, Esati foli shqip dhe Stavroja përkthente në frëngjisht. Ishte një monolog, ku Wilsoni dëgjonte në heshtje. Ata që ndodheshin në dhomë krijuan përshtypjen se ai e kuptoi thelbin e kritikës së ashpër që Esati i bëri sjelljes së Italisë. Por, për të qenë i sigurtë, presidenti i kërkoi vizitorit ta hidhte në letër çdo gjë që i kishte thënë dhe t’ia dërgonte.

Esati u kthye në Hotel Continental dhe i diktoi përkthyesit një tekst, të cilin e kam zbuluar në vitin 2015 mes materialeve të shumta të arkivit të ministrisë së Jashtme franceze. Teksti në frengjisht ishte pa datë dhe pa indicie të tjera. Kjo mund të ketë qenë arësyeja se përse dokumenti nuk ka rënë në sy më parë. Aty thuhet:

“Esat pasha e quan për nder që u prit nga Presidenti. Atij i vjen keq që mosnjohja e anglishtes e detyroi të shprehej në shqip dhe është kureshtar të dijë nëse u kuptua e gjitha ajo që tha… Gjatë tërë periudhës së luftës, Esat pasha ka luftuar kundër armikut të përbashkët. Si kryetar i qeverisë shqiptare i shpalli luftë Austrisë, por meqenëse armiku ishte më i fortë, iu desh të ikë nga atdheu.

U strehua në Itali, pastaj në Francë dhe, pas një marrëveshjeje, vendosi në Selanik qeverinë dhe ushtrinë e tij shqiptare, e cila kreu atje detyrën. Siç e kanë pranuar vetë aleatët, besnikëria e Esat pashës nuk u ka munguar kurrë. Megjithatë, kur u vendos të mbahej konferenca e paqes, neve nuk na ftuan të marrim pjesë si përfaqësuesit e shteteve të tjera. Përse? Sepse Italia intrigon pranë Fuqive. Ajo përpiqet të sigurojë një traktat për të marrë protektoratin e Shqipërisë.

Mirëpo Shqipëria ka luftuar 500 vjet kundër turqve, të cilët deshën t’i imponojnë një ‘protektorat’ tjetër, që ajo nuk e dëshironte. Ajo kërkon të krijojë një shtet plotësisht të pavarur dhe është e aftë të vetqeveriset.

Si ka mundësi që konferenca, e cila synon të çlirojë kaq shumë kombe të tjera, guxon ta vërë përsëri nën zgjedhë Shqipërinë që, për shkak se shpalli luftë, ka vuajtur po aq sa edhe Belgjika? Si mund të bëhet pazar me shpërblimin që ajo e ka merituar plotësisht?

Ajo ka të drejtën e pavarësisë. Por Italia as që e çan kokën për drejtësi; ajo është kundër garantimit të një paqeje të pakufishme në Ballkan dhe i bëhet pengesë përparimit të Shqipërisë drejt së ardhmes.

Protektorati italian, i urryer nga të gjitha pikëpamjet, do të ishte një burim turbullirash të vazhdueshme në Ballkan. Përkundrazi, një mandat i përkohshëm, që t’i besohej një fuqie të painteresuar, do të ishte diçka e shkëlqyer. Kjo fuqi duhet të ishte Amerika, nga e cila shqiptarët presin lumturinë e tyre”.

***

Këtë dokument e kam përfshirë në librin “Esat pashë Toptani – Njeriu, Lufta, Pushteti”, botuar në vitin 2016 nga UET Press.

Siç shihet nga teksti, Esati i parashtron Presidentit amerikan dy kërkesa bazë: Të mos pranohej protektorati i Italisë dhe që, Amerikës, si fuqi e painteresuar, t’i besohej një mandat i përkohshëm mbi Shqipërinë.

Gjatë gjithë vitit 1919 dhe në fillim të vitit 1920, fuqitë aleate hodhën një numër idesh se si do të zgjidhej çështja e kufijve të Shqipërisë. Në të gjitha kombinimet e mundshme Shqipëria shihej si një monedhë këmbimi. Fati i saj ishte në lojë. Përfundimisht, fuqitë evropiane, në kohën kur presidenti amerikan kishte ikur nga Parisi, vendosën ta gjymtojnë Shqipërinë e pambrojtur.

Më 10 shkurt 1920, Presidenti Wilson u dëgoi një notë aleatëve ku nuk e pranonte idenë e ndryshimit të kufijve të Shqipërisë në veri dhe në jug në shkëmbim të një mandati italian, siç kërkonin ata. Kjo notë e Wilsonit ishte mbështetja më e fortë që Presidenti amerikan i kishte dhënë deri në atë kohë pavarësisë së Shqipërisë.

E shpjegova me pak fjalë, sepse ekuacioni me disa të panjohura për rregullimet e pasluftës në dëm të Shqipërisë ishte shumë më i komplikuar se kaq.

A ndikoi, veç të tjerash, edhe takimi me Esatin, që presidenti Wilson ta kundërshtonte copëtimin? Asgjë në këtë botë nuk ndodh për një arsye të vetme, por lobimi i Esatit pa dyshim që ndihmoi bashkë me faktorë të tjerë.

Esati ishte i vetmi përfaqësues shqiptar që u takua ballë për ballë me presidentin amerikan dhe takimi iu lejua sepse, gjatë luftës, ai ishte rreshtuar me fuqitë që dolën fituese. Delegacioni tjetër shqiptar, i cili loboi gjithashtu fort në interes të vendit, nuk e pati këtë privilegj.

Mendoj se takimi i Esat pashës me Presidentin amerikan, prej kohësh i mohuar dhe i nënvlerësuar nga studiuesit, është një episod që duhet parë jo thjesht si kuriozitet, por edhe me seriozitet, kur diskutohet për ngjarje të tilla domethënëse si Konferenca e Paqes në Paris. Kokëfortësia nuk ka vlerë kur flasim për studime vërtet objektive dhe të paanshme.

Të njëanshëm dhe përbuzës tregohen ndaj Esatit edhe autorë të huaj si Margaret MacMillan, në librin e saj mjaft të vlerësuar nga kritika, ‘Paris 1919: Six Months That Changed the World’. MacMillan, stërmbesë e kryeministrit britanik Lloyd George, ndikohet në opinionin e saj nga autorë si Edith Durham, e cila e përçmonte hapur Esatin. Duhet thënë se pjesa për Shqipërinë në librin e prof. MacMillan është shkruar me nxitim të dukshëm.

Aty gjen gabime të tilla elementare si “Esati e arriti përkohësisht ëndrrën e tij për t’u bërë mbret”; “Esat pasha ishte dajë i Ahmet Zogut”; Leka Zogu I “ishte stërnip i Esatit”.  Në fakt, Ahmet Zogu kishte lidhje të largët me Esatin: gjyshi i tij nga nëna, Emini, ishte kushëri i dytë me pashain.