Aktualitet “Plumbi i artë” i Nuredin Dumanit, eksperti: U hakmor ndaj rivalëve, por...

“Plumbi i artë” i Nuredin Dumanit, eksperti: U hakmor ndaj rivalëve, por operacioni u dekonspirua

12 ngjarje kriminale, vrasje dhe atentate janë zbardhur nga dëshmia e Nuredin Dumanit, pas arrestimit dhe bashkëpunimit të tij me drejtësinë. Jo më kot operacioni është koduar “Golden Bullet” (Plumbi i artë), referuar plagosjes së Dumanit më 30 mars në fshatin Paper të Elbasanit, në të njëjtën ditë dhe kur u arrestua në qytetin e Fierit.

Pedagogu i kriminologjisë Ervin Karamuço ka folur për urdhër arrestet e lëshuara pas pendesës së Nuredin Dumanit. Pas atentatit të dështuar ndaj tij Dumani zbardhi fijet e grupeve kriminale, si një mënyrë hakmarrjeje ndaj tyre.

“Plagosja ishe ngjarja që e shtyu të tregojë, e pa se s’kishte më çfarë të humbte. Iu ngrit një kurth për ta vrarë. Ai duhet të merrte masa për t’u hakmarrë ndaj grupeve. Ai i besoi drejtësisë shumë informacione. Ai përmendi edhe një tjetër person edhe ai i penduar dhe po jep informacione. Të dy kanë hapur gjithë këtë sagë arrestimesh”, tha Karamuço në Abc.

Aksionin nuk e konsideroi të suksesshëm, duke thënë se është dekonspiruar nga funksionarë.

“Unë pashë që njëri prej tyre ishte dhe një funksionar i policisë i cili dyshohet i përfshirë në afera kriminale. Ka dekonspirim. Fakti që s’kemi asnjë prej emrave të rëndësishëm të kapur do të thotë shumë. Pres arrestime për funksionarë publikë që dekonspirojnë këto operacione. S’kemi personazhe VIP të botës së krimit pas hekurave”.

Por çfarë do të përfitojë Dumani nga pendesa?

“Mund të përfitojë, kjo çmohet nga gjykata rast pas rasti. S’mendoj se Dumani do marrë lehtësi të jashtëzakonshme. Pra varet rast pas rasti”, tha eksperti.

Me rrëfimet e të penduarve zbardhjet e ngjarjeve kriminale do të vazhdojnë për rreth 44 grupe.

“Zbardhja e ngjarjeve do vazhdojë. Këto s’janë organizata të pavarura, por janë bashkuar sipas zonave të trafikut të drogës që mbulojnë. Nëse njëri prej tyre del nga rrjeti me një informacion që ai jep janë gjithë këto grupe që përfshihen.

Grupet kriminale që janë aty janë  gati 44. Është pothuajse gjysma e grupeve që janë të përfshirë vetëm nga 1 ose 2 persona bashkëpunëtorë të drejtësisë”.

Vrasjet dhe atentatet që rrëfeu Dumani

Nuredin Dumani ka treguar përpara prokurorëve të SPAK-ut se ka marrë porosi nga Ervis Martinaj për vrasjen e Endrit Dokles kundrejt 100 mijë eurove.

Dumani ka rrëfyer autorët e ekzekutimit të Fatmira Dedës në vitin 2014, pasi ajo kërkonte drejtësi për vrasjen e djalit të saj Elvis Deda, në vitin 2013.

Përpara hetuesve Dumani ka folur edhe për vrasjen e taksistit Bujar Çela, vëllait të armikut të tij Talo Çelës.

Në deklarimet e tij Dumani ka thënë se në vrasje mori pjesë vetë ai, Besmir Xhixha dhe një person tjetër i shpallur në kërkim.

2.8 kg tritol në banesën e Talo Çelës më 5 nëntor 2020, është vendosur nga shtetasi Elio Bitri.

Sipas dosjes së SPAK, ngjarja ishte hakmarrje për shkak se Talo Çela kishte planifikuar të ekzekutonte dy personazhe të njohur të krimit në Elbasan, Florenc Çapjan dhe Sokol Sanxhaktarin por nuk i realizoi dot.

Oficeçi Leonard Palushi implikohet nga Dumani në prishjen e e provave me qëllim që akuza e vrasjes së Emiljano Ramazanit t’i kalonte 2 personave pa lidhje me ngjarjen.

Një tjetër ngjarje e zbardhur është edhe atentati i dështuar ndaj biznesmenit Lulzim Masha, pranë liqenit artificial në janar të këtij viti, për të cilin nga SPAK-u akuzohet Suel Çela. Dumani ka treguar edhe emrat e personave që kishin planifikuar për të ekzekutuar Filip Gjeloshin, personazh i skeduar më herët nga autoritetet.