Nga Aurenc Bebja*, Francë
“Le Radical” ka botuar, të shtunën e 25 gushtit 1917, në faqen n°2, intervistën e Esat Pashë Toptanit, dhënë asokohe korrespondentit të “La Gazzetta del Popolo” në Athinë, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:
Një intervistë e Esat Pashës
Romë, 24 gusht.
La Gazzetta del Popolo publikon një intervistë që korrespondenti i saj pati në Athinë me Esat Pashën:
“Unë udhëtoj për kënaqësinë time, – thotë Esati, – jam i lumtur që ndodhem në Athinë në momentin kur bashkimi i shpirtit kombëtar realizohet këtu nën udhëheqjen e z.Venizelos. Grekët mund ta konsiderojnë veten të lumtur që kanë në krye të tyre një njeri me vlerë të tillë. Çështja e Epirit të Veriut nuk do të shqetësojë, të paktën shpresoj, marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë, pasi për këtë çështje, janë fuqitë që do të japin një zgjidhje të drejtë dhe të cilën ne do ta pranojmë.
Vendimi i paraluftës do të rikthehet në Shqipëri; ky vend e ka paguar haraçin e tij për luftën. Përveç vështirësive të imponuara nga Austria, e cila pushtoi pjesën më të madhe të territorit shqiptar, ekziston edhe një argument tjetër që do të peshojë shumë në favorin tonë: është se ne nuk po kërkojmë asgjë tjetër përveç pavarësisë sonë kombëtare.”
Sa për formën e qeverisjes së shtetit të ardhshëm shqiptar, Esat Pasha deklaroi se kjo pyetje i përket Shqipërisë, në bashkëpunim me fuqitë të cilat i njohën asaj të drejtën për të vendosur për fatin e saj, pas eksperimentit fatkeq me Princ Vidin.
*Burimi: Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania