Në Milano ishte dita e prezantimit të madh të Milanit. Zlatan Ibrahimovic i rikthyer te kuqezinjtë u prezantua përpara për herë të dytë si lojtar i Milanit në moshën 38-vjeçare. Entuziast dhe i gëzuar për këtë rikthim pas 7 vitesh e gjysmë, Zlatan foli me superlativa për kuqezinjtë edhe pse Milani ndodhet në një pozicion të vështirë në kampionat. Ylli suedez preku shumë tema në fjalën e tij, teksa u premtoi tifozëve të Milanit se do të bëjë maksimumin për të nderuar këto ngjyra.
“Milani është gjithmonë Milani. Historia nuk ndryshon. Skuadra ndoshta nuk është njësoj si më parë, por pas Berlusconit ndodhën shumë gjëra. Do të doja t’i kisha Boban dhe Maldini në fushë, por të jesh në rol drejtuesi, gjithashtu, nuk është diçka e keqe. Ne nuk mund të jemi gjithmonë të njëjtë, ndryshimet fizike dhe përvoja, gjithashtu; por besimi nuk ndryshon. Me shokët e mi do të jem shumë bashkëpunues, tani që kam dy fëmijë i kuptoj më mirë… Do të jem unë vetë që do ta jap shembullin i pari. Jo të gjithë pëlqejnë të vuajnë, po unë e bëj, do të jem më i ashpër.
Pas dëmtimit që kisha (te Manchester United), shumë mendime kisha në kokë. Shumë kishin thënë se ishte e pamundur të kthehesha. Kam punuar një kohë të gjatë dhe, për sa kohë që mund të punoj, edhe luaj. E pamundur që unë të luaj si 10 vite më parë, por e di se çfarë duhet të bëj. Në vend që të vrapoj mund të qëlloj nga 40 metra… E di mirë se presioni për të luajtur në Milano është shumë i lartë, nga tifozët, klubi dhe shokët. Të gjithë presin rezultate. Duhet të bëjmë më shumë. Nëse luan te Milani kërkohen rezultate. Në mënyrë kolektive dua të përmirësoj situatën. Individualisht mezi po pres që të jem në fushë. Aty gjej adrenalinën e vërtetë.
Ronaldo?
“Është bukur që ai luan në Itali, le të shohim se çfarë do të ndodhë. Sidoqoftë, sfidën e kam me vetveten. Nëse jam në fushë për të mos arritur rezultate, kjo është e padobishme. Më mirë merrem me diçka tjetër. Nëse nuk shënoj, të paktën do të asistoj. Unë e di mirë se çfarë duhet të bëj”.
Kulusevski te Juventusi?
“Është mirë që lojtarët e Suedisë përfaqësohen me ekipe të shkëlqyera. Pak prej tyre e kanë këtë privilegj. Kur jeton në Amerikë është e vështirë t’i shikosh ligat europiane. Kam dëgjuar gjëra pozitive për Kulusevski dhe jam i lumtur për të. Ai do të kuptojë se çfarë duhet të bëjë në një ekip elite”.
Kontrata?
“Nëse mund të jap diçka për 6 muaj, atëherë do të vazhdoj. Nuk dua të qëndroj këtu, sepse jam Ibrahimoviç. Ajo që kam bërë në të kaluarën nuk llogaritet. Unë duhet ta dëshmoj veten time”.
Derbi i Milanos?
“Derbet përjetohen gjithmonë shkëlqyeshëm, unë e fitova atë me të dyja fanellat. Kur më pyesin se cili është derbi më i miri, unë gjithmonë them Inter-Milan. Qëllimi im është gjithmonë për të fituar diçka. Edhe këtu te Milani do të japim gjithçka për të fituar. Duhet ta ngremë nivelin mental dhe paraqitjen në fushë, në 5-6 muaj do të përpiqem të bëj gjithçka për të ndihmuar në këtë drejtim.
Ende nuk i njoh mirë lojtarët, përveç nga televizioni. Do të shohim zgjedhjet e trajnerit dhe se si ai dëshiron t’i bëjë gjërat. Kur luan me kampionët nuk është e vështirë, gjithçka vjen natyrshëm. 373 gola? Unë kam shënuar më shumë se 500… Nëse nuk shënoj, mundohem të ndihmoj të tjerët ta bëjnë këtë. Futbolli është gjithmonë kolektiv, nuk mund t’i bësh gjërat i vetëm. Përndryshe, unë do të isha marrë me një sport individual”.