“Bëni tamponin, edhe me rrezikun që gruaja t’ju nxjerrë nga shtëpia”- ky është apeli i pazakontë i kryebashkiakut të Modica-s në Itali, Ignazio Abate.
Kjo për shkak se një eskortë me origjinë nga Peruja, është konfirmuar me Covid-19, gjë që ka frikësuar kryebashkiakun se koronavirusi mund të jetë përhapur edhe më tej tek klientët e saj.
“Dy apo tre klientë në ditë për 10 ditë. Janë 20-30 persona që mund të kenë marrë virusin, duke infektuar të gjithë pjesëtarët e familjes apo persona të tjerë në bare. Apeli i tij është që të bëjnë tamponin të gjithë ata që kanë pasur kontakte me atë grua, edhe me rrezikun që bashkëshortja mund t’i nxjerrë nga shtëpia”– thotë Abate për gazetën La Repubblica.
Sepse alternativat në këtë moment janë dy sipas kryebashkiakut. E para është të tregojnë që kanë qenë klientë të asaj gruaje dhe t’i nënshtrohen tamponit, duke rrezikuar edhe të jenë pozitiv dhe të japin shpjegime në familje, të fejuarës apo bashkëshortes duke marrë parasysh pasojat, ose të lënë gjithçka në heshtje, por me rrezikun që mund të infektojnë të tjerë dhe të shpërndajnë virusin.
Për momentin bashkiaku i Modica-s i ka kërkuar policisë të ruajë të gjitha apartamentet ku mendohet se ushtrohet ky aktivitet, duke pasur mundësi të zbulohen edhe prostituta të tjera të cilat kanë takuar kolegen dhe t’i nënshtrohen testeve të tamponit. Por përsa i takon klientëve, deri tani nuk është bërë asgjë, sepse asnjë prej tyre nuk është paraqitur për t’ju nënshtruar testit të Covid-19.