Pothuajse një histori filmash, ajo që ka si protagonist shqiptarin që u ekstradua sot nga Spanja për në Tiranë.
Bëhet fjalë për 64-vjecarin Luan Bundo, i dënuar në vitin 2016 nga Gjykata e Tiranës me 10 vjet burg për veprën penale “Dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”, si dhe me 2 vjet për mashtrim.
Por kufiri në fjalë nuk është ai i ndonjë vendi europian, ose vetë ai shqiptar ku çdo ditë klandestinët nga Lindja e Mesme kërkojnë të hyjnë, më së shumti transit drejt BE-së.
Kufiri për të cilin Bundo premtonte kalimin ishte ai shumë më ekzotik midis Australisë dhe Indonezisë.
Sipas denoncimit të familjarëve të shtetasit me iniciale M.P., Bundo e kishte shoqëruar atë deri në Indonezi, me premtimin që me anë të disa peshkarexhave që drejtoheshin nga njerëz të njohur, ai do të kalonte ilegalisht kufirin australian.
Sipas familjarëve, nga ai moment ata kanë humbur kontaktet me të afërmin e tyre, dhe nuk kanë informacione për vendndodhjen e tij.
Bundo gjendej në Spanjë kur u arrestua, dhe tashmë falë bashkëpunimit të Interpolit në të dy vendet, do të ekstradohet në Shqipëri ku do të vuajë dënimin.