Kryesore Kuvendi Kombëtar miraton ndryshimet në statut, Basha: PD doli më e fortë...

Kuvendi Kombëtar miraton ndryshimet në statut, Basha: PD doli më e fortë nga 25 Prilli

Në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka dhënë disa mesazhe, duke filluar nga zgjedhjet e 25 Prillit, situata pas tyre dhe të ardhmen e PD.

Basha tha se PD doli më e fortë nga zgjedhjet dhe tha se vetëm bashkë mund të bëhen ndryshime.

Kreu i PD ka ftuar dhe kritikët e tij duke thënë se nuk mund të vijohet të luftohet mes njëri-tjetrin, por lufta duhet të drejtohet kundër Ramës.

Pas fjalës së Bashës, Kuvendi Kombëtar ka miratuar dhe ndryshimet në statut të propozuara prej tij. Ndërkohë pritet dhe zgjedhja e Këshillit të ri Kombëtar.

“PD doli më e fortë dhe më e bashkuar”

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në fjalën e tij në Kuvendin Kombëtar të PD është shprehur se PD ka dalë më e fortë nga zgjedhjet e 25 Prillit.

Basha para delegatëve tha se të gjithë demokratët luftuan me mish e me shpirt për të ndezur shpresën në Shqipëri.

“Edhe pse 25 Prilli nuk kishte lidhje me demokracinë, edhe pse çdo padrejtësi që mund të bëhej, u bë për të penguar ndryshimin, ne dolëm më të fortë dhe më të bashkuar, sepse të gjithë bashkë luftuam me mish dhe me shpirt për të ndezur besimin dhe shpresën e njerëzve se një Shqipëri më e mirë është e mundur.

Jo duke përdorur mjetet dhe modelin e Edi Ramës, por duke e përbuzur dhe refuzuar atë. Ne nuk hoqëm dorë nga mjetet e ndershme për të bërë politikë. Nuk u stepëm nga propaganda e shtrenjtë dhe meskine e regjimit, as nga llumi i krimit që sot është garniturë e një kryeministri ilegjitim, as nga oligarkët që si shushunja i janë turrur trupit të drobitur të Shqipërisë. Ne luftuam dhe besuam, sikurse ende besojmë, se mund t’i ndryshojmë gjërat në këtë vend pa u bërë më të këqij, më të pabesë dhe më të korruptuar se Edi Rama”, tha ndër të tjera Basha.

“25 Prilli garë e pabarabartë, PD kishte programin më të mirë në 30 vite”

Në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka kujtuar programin me të cilin garoi në zgjedhjet e 25 Prillit, duke thënë se ka qenë më i miri i hartuar në 30 vvitet e demokracisë në Shqipëri.

Kreu i PD u shpreh se  gara në 25 Prill ishte e pabarabartë dhe shtoi se programi i PD ishte i detajuar për çdo sektor.

“Të gjithë bashkë hymë në këtë betejë të pabarabartë, me programin më të mirë të hartuar në historinë e këtyre 30 viteve, fryt dhe prodhim i ekspertëve më të aftë të vendit dhe bashkëpunimit me institutet dhe institucionet prestigjioze të Perëndimit.

Fryt i viteve të punës së bazuar mbi studime të gjendjes reale që e kemi prekur bashkë shtëpi më shtëpi, fshat më fshat, qytet më qytet, sipërmarrje në sipërmarrje me të gjitha grupet e interesit, në bashkëpunim të thellë dhe të hapur me të gjithë grupet shoqërore,  me të papunët, me fermerët, me sipërmarrjen e vogël, me sipërmarrësit e mëdhenj, me prodhuesit, me eksportuesit, me mjekët dhe personelin shëndetësor, me arsimtarët, pedagogët dhe studentët, artistët dhe intelektualët, me elitën e mendjes dhe shpirtit të këtij vendi,  me personat me aftësi të kufizuara, me të përndjekurit politikë dhe shoqatat e pronarëve që u bashkuan për herë të parë ndër vite me përfaqësuesit e tyre në selinë e Partisë Demokratike përmes programit tonë.

Një program i detajuar, me angazhime konkrete, për çdo sektor të shoqërisë, që vendosi gishtin tek plagët e shumta të vendit, që ofronte zgjidhje për të çliruar potencialin e çdo shqiptari, që çlironte dhe zhvillonte potencialin e Shqipërisë, të ndrydhur, të mpakur, të boshatisur, të ngecur në vendnumëro në 8 vite nga një fatkeqësi kombëtare që e quan veten qeveri.

Një program që ka në qendër familjen shqiptare, si shtylla e politikave tona; një program që synon forcimin e shtresës së mesme, si motori i zhvillimit dhe i transformimit të shoqërisë, sepse një shtresë e mesme e fortë është garante e stabilitetit ekonomik dhe politik të vendit”, u shpreh Basha.

“Dora ime do të mbetet gjithmonë e shtrirë”

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka kërkuar bashkim dhe jo përçarje. Nga Kuvendi Kombëtar  i Partisë Demokratike, Basha ftoi të gjithë kritikët e tij që të lënë mënjanë inatet personale dhe të bashkohen bashkë.

Sipas tij PD tregoi se është një forcë e madhe dhe nuk gjunjëzohet nga asgjë dhe shtoi se dora e tij do të mbetet e shtrirë për këdo që është larguar nga partia.

“Unë kam edhe një thirrje për të gjithë ata që janë larguar nga familja jonë politike. Unë ju them atyre se nëse keni dëshirë të jepni kontributin tuaj, apo të ktheni besimin e demokratëve që ju kanë ndër vite, jeni të mirëpritur.

Dora ime do të mbetet gjithmonë e shtrirë. Nëse doni t’i bashkoheni aksionit tonë dhe vlerave tona, por kurrë më nuk duhet ta mendoni se unë do t’u kthej më faqen tjetër, që ju të abuzoni me sakrificat e demokratëve për t’i përkthyer ato në përfitime të përkohshme”, tha Basha.