Forcat e armatosura greke dhe ato turke janë në gjendje gatishmërie duke paralajmëruar kështu, rrezikun e një konflikti të armatosur mes dy vendeve fqinje.
Situata në Mesdheun Lindor është tensionuar ndjeshëm pasi Turqia ka njoftuar se anija “Oruc Reis” do të nisë së shpejti shpimet në kërkim të gazit natyror pranë ishullit grek të Kastelorizo.
Por nga ana tjetër, qeveria greke ka bërë të qartë se operacione të tilla nuk do të tolerohen në territorin grek.
Kryeministri Kiriakos Mitsotakis ka biseduar me kancelaren Angela Merkel e cila ka komunikuar gjithashtu edhe me palën turke. Kreu i ekzekutivit grek ka deklaruar se po cënohet sovraniteti i vendit.
“Dyzet e gjashtë vjet pas pushtimit turk, plaga e Qipros vazhdon të rrjedhë gjak. Por edhe qielli i të gjithë rajonit vazhdon, për fat të keq, të mbulohet nga gjithnjë e më shumë re provokimesh nga i njëjti fajtor. Në okupimin e paligjshëm të territorit europian tani janë shtuar akte agresive të njëpasnjëshme, të cilat sfidojnë të drejtat sovrane të Greqisë dhe Republikës së Qipros. Përvjetori i turpit, në vend që të provokojë një autokritikë shpenguese në Turqi, e gjen duke u larguar nga legjitimiteti, Europa dhe vlerat e shekullit XXI”, tha Mitsotakis.
Në përputhje me konventën ndërkombëtare për të drejtën detare, Athina pretendon se zona prej 200 miljesh detare si pjesë e zonës Ekskluzive ekonomike vlen edhe për ishujt e vegjël që i takojnë Greqisë ishulli Kastelorizo, që gjendet më shumë se 500 kilometra larg Athinës por afër bregdetit të Turqisë.
Ndërsa Turqia nuk e pranon këtë pretendim. Sipas analistëve çështja nëse do të ketë luftë varet nga negociatat por edhe nga mënyra sesi do të pozicionohen BE dhe sidomos SHBA.
Shefi i politikës së Jashtme të BE-së Josep Borrell po i nxit të dyja palët të negociojnë. Por për shkak të shumë çështjeve që kanë dalë në pah vitet e fundit si – çështja e refugjatëve, politika e energjisë, roli i Turqisë në Siri dhe Libi, BE-ja nuk është e bashkuar në qëndrimin ndaj Turqisë dhe secili vend anëtar, ka pozicion të ndryshëm në kuadër të interesave të veta kombëtare.