Deputeti i Parlamentit Evropian, Thomas Waitz, i cili është bashkëkryetar i Partisë së Gjelbër Evropiane ka reaguar në lidhje me zhvillime në veri të Kosovës.
Waitz ka dënuar dhunën e ushtruar ndaj ushtarëve të KFOR-it nga serbët. Gjithashtu ai e cilëson situatën e krijuar si një produkt të politikës disavjeçare të presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, si dhe retorikës së tij përçarëse.
Eurodeputeti ka deklaruar se Bashkimi Evropian është duke diskutuar ngrirjen e bisedimeve për pranimin e Serbisë në BE.
“Sulmet e djeshme kundër gazetarëve dhe pjesëtarëve të KFOR-it nga serbët etnikë në veri të Kosovës janë krejtësisht të papranueshme. Përshkallëzimi duhet të përfundojë menjëherë. Ne kemi nevojë për paqe dhe zgjidhje politike për krizën në veri të Kosovës. BE-ja do të vazhdojë të mbështesë Dialogun Beograd/Prishtinë”, ka shkruar ai në Twitter.
Eurodeputeti i ka bërë apel Partive Popullore Evropiane (EPP) që t’i japin fund bashkëpunimit me Vuçiçin.
“Këto përshkallëzime janë rezultat i politikave etno-nacionaliste të Aleksandër Vuçiqit dhe retorikës përçarëse. Edhe ushtarët e KFOR-it dhe gazetarët janë bërë objektiv i kësaj gatishmërie për dhunë. I dënoj sulmet me termat më të fortë. Partia Popullore Evropiane (EPP) duhet t’i japë fund urgjentisht bashkëpunimit me Aleksandar Vuçiçin, kundër të cilit në Serbi po zhvillohen protesta masive. BE tashmë po diskuton një ngrirje të bisedimeve të pranimit me Serbinë”, ka shkruar ai.