Bota Europa e kaloi valën e parë të pandemisë

Europa e kaloi valën e parë të pandemisë

Europa duket se është duke lënë tanimë pas krahëve valën e parë të pandemisë së koronavirusit. Qendra Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve thotë se vala e parë e përhapjes së virusit e “e ka kaluar pikun” në 20 vende të BE-së. Sidoqoftë, agjencia ka paralajmëruar vendet europiane të kenë kujdes me heqjen e masave të bllokimeve me ngut.

“Heqja e masave me nxitim, pa monitorimin e duhur mund të shkaktojë rikthimin e papritur të epidemisë”, paralajmëroi drejtori i Qendrës, Andrea Ammo,

Sipas tij, masat e distancës sociale duket se po zvogëlojnë me sukses përhapjen e virusit. Në BE dhe SHBA, kurba 14-ditore e epidemisë ka rënë me 18 për qind që nga 8 prilli.

“Rreziku i ri-fuqizimit të epidemisë nëse këto masa do të hiqen gradualisht është ‘i moderuar”, tha Ammo. Por ky rrezik është shumë i lartë nëse masat hiqen me shpejtësi dhe nëse sistemi shëndetësor ul gatishmërinë.

“Rreziku vdekjes nga Covid-19 është i ulët në vendet që kanë marrë masa për distancimin social, por ‘i moderuar’ për moshat e mëdha. Në vendet që nuk kanë masa të tilla, rreziku i humbjes së jetës sëmundjes është i moderuar për popullatën e përgjithshme dhe shumë i lartë për të moshuarit”, shton ai.

OBSH paralajmëron ndaj zbutjes së masave për Coronën

Zyra Rajonale Evropiane e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) paralajmëron prej heqjes së përshpejtuar të masave mbrojtëse për Coronën në Evropë. Megjithë “sinjalet pozitive” nga disa vende, është ende shumë herët për të folur për suksese, tha drejtori rajonal i OBSH-së, Hans Kluge. “Kjo nuk është koha për zbutjen e masave”. Në vend të kësaj duhet të “dyfishohen dhe trefishohen” përpjekjet për të kufizimin e virusit.

Situata në Evropë ende shumë shqetësuese

Kluge tha në konferencën e tij javore për shtyp se në lidhje me krizën e Coronës situata në Evropë është ende “shumë shqetësuese”. Ai bëri thirrje që masat të përforcohen në tri fusha: mbrojtjen e punonjësve të shëndetësisë, ndarjen e njerëzve të shëndetshëm prej atyre që dyshohet se janë infektuar dhe komunikimin me popullatën. Për këtë duhet që shtetet të bashkëpunojnë edhe më afër: “Një vend nuk mund ta luftojë ose ta ndalojë i vetëm Covid-19” – tha ai.

Gjermania, Austria, Norvegjia dhe Danimarka kanë njoftuar se do të lehtësojnë gradualisht masat kufizuese që kishin marrë për të frenuar pandeminë e virusit Corona.