Shoferë të bllokuar në autostrada, qendra vaksinimi të mbyllura, trena të anuluar, dëbora ka paralizuar një pjesë të Europës.
Moti i keq në Itali ka shkaktuar ngrica në rrugë, me probleme e aksidente në rajone ku bora ka mbuluar edhe zonat fushore dhe termometri po regjistron nivele nën zero.
Ajri i ftohtë, që vjen nga lindja, i ka ulur temperaturat në -13 deri në -15 gradë Celcius.
Autoritetet qeveritare kanë urdhëruar mbylljen e shkollave në të gjitha nivelet, si edhe është pezulluar mësimi në distancë për shkollat e mesme.
Sipas ekspertëve, situata pritet të përkeqësohet në orët e ardhshme, me reshje dëbore edhe në lartësi relativisht të ulëta.
Në Gjermani, dhjetëra drejtues automjetesh dhe kamionësh u bllokuan gjatë natës për rreth 30 kilometra në autostradën A2 pranë Bielefeld (Nordrhein-Westfalen) për shkak të motit të keq.
Disa kamionë u përmbysën, duke bërë që autostrada të mbyllej në të dy drejtimet.
Shumica e drejtuesve u bllokuan gati 16 orë në automjetet e tyre në të ftohtë.
Reshjet e dëborës kanë shkaktuar ndërprerje të mëdha në qarkullimin e trenave në Rhenanie të Westphalie Veriore, rajoni më i populluar në vend, si dhe trafikun hekurudhor me nisje nga Hamburgu.
“Dëbora, me një trashësi deri në 30 centimetra ka shkaktuar gjithashtu ndërprerje të mëdha në trafikun rrugor të vendit. 222 aksidente janë numëruar që nga e shtuna pasdite”, theksoi një zëdhënës i policisë gjermane.
Temperaturat e ulëta vazhdojnë të prekin Holandën duke shkaktuar mbylljen e shkollave fillore, që do të hapnin portat për herë të parë pas shtatë javësh.
Qendrat e depistimit dhe vaksinimit kundër koronavirusit mbeten gjithashtu të mbyllura në të paktën tetë qytete të vendit, të goditura dje nga stuhia e parë e dëborës që prej më shumë se 10 vitesh.
Reshjet e dëborës, të shkaktuara nga stuhia, që meteorologët e kanë quajtur “Darcy”, janë ndalur sot, por Holanda po bëhet objekt i alarmeve të ndryshme meteorologjike.
Por, dhjetëra shkolla të kryeqytetit Amsterdam, të qyteti portual të Roterdamit, Utrecht dhe qytete të tjera kanë qendruar të mbyllura, kryesisht për shkak të vështirësive në transport, njoftoi stacioni televiziv publik NOS.
Dhjetëra fluturime janë anuluar apo vonuar në aeroportin e Schiphol të Amsterdamit, ndërkohë që ai i Eindhoven (jug) u mbyll. Të gjitha linjat e trenit janë mbyllur në vend duke përfshirë dhe ato me destinacion Gjermaninë.
Tramet janë ndërprerë në kryeqytetin e Amsterdamit dhe një tram ka dalë nga rruga për shkak të dëborës në Hagë, theksoi një gazetar.
Pjesa më e madhe e Holandës është mbuluar nga 5-10 centimetra dëborë, sipas stacionit televiziv publik NOS.
Më shumë se 80 vetura kanë dalë nga rruga pas rrëshqitjeve në dëborë, sipas autoritetit holandez të infrastrukturave, që këshillon drejtuesit e automjeteve të shmangin lëvizjet.
Të gjitha ndeshjet e futbollit të Ligës së parë holandeze janë parashikuar të anulohen si dhe një ndeshje e Bundesligas gjermane.
Belgjika, vend fqinj i Holandës, ishte mbuluar nga një shtresë bore e lehtë por pritet që një rënie e ndjeshme e temperaturave të përfshijë vendin javën e ardhshme.
Në anën tjetër të Detit të Veriut, Britania e Madhe është përfshirë gjithashtu nga reshjet e mëdha të borës, si pasojë e stuhisë “Darcy” nga meteorologët holandezë, erërat e së cilës arritën 90 kilometra në orë.
Në Britaninë e Madhe, autoritetet kanë lëshuar një alarm portokalli për motin në juglindje të Anglisë, për shkak të rrugëve të bllokuara nga dëbora dhe ndërprerjeve të pritshme të transportit rrugor, hekurudhor dhe ajror.
Reshjet e mëdha të shiut që goditën brezin jugor të Tirrenit po shkaktojnë dëmet dhe problemet e para midis Campania-s dhe Basilicata-s, në jug të Italisë.
Në zonën e Salernos, 90 mm shi preken Giffone Valle Piana, por pikërisht në Potentino dhe Irpinia ka përmbytje të mëdha, që kërkuan evakuimin e familjeve me gomone.
Mbrojtja Civile dhe administrata komunale e Forinos, gjithashtu, po vlerësojnë mundësinë e evakuimit të të gjithë fshatit, nëse shiu vazhdon të bjerë me të tilla përmasa.