Në një kohë kur po përballet me rritjen e përhapjes së COVID-19, Europa ka përpara një sfidë të madhe, mungesën e aparateve respiratore që shërbejnë për të ndihmuar frymëmarrjen te personat që kanë probleme me mushkëritë.
Qeveritë europiane kanë intensifikuar kërkimin pasi mjekët dhe spitalet po përgatiten për një rritje të numrit të pacientëve të infektuar me COVID-19.
Italia, epiqendra e virusit në Europë, kërkoi katërfishimin e prodhimit mujor si dhe dërgoi forcat e armatosura për të ndihmuar, në mënyrë që të arrihej kuota e parashikuar.
Gjermania, një tjetër vend i goditur rëndë nga virusi, ka porositur një shtesë prej 10,000 aparatesh frymëmarrjeje nga një furnitor francez.
Ventilatorët- janë aparate të krijuara për të futur oksigjenin në mushkëri, tek pacientët të cilët kanë vështirësi në frymëmarrje ose vuajnë nga sëmundje acute.
Këto aparate kanë rëndësi kritike për jetën e pacientëve të infektuar me koronavirus.
Në Itali, personelit mjekësor i është thënë që të trajtojnë me përparësi pacientët me shanset më të larta për të mbijetuar, për shkak të mungesës së pajisjeve.
Prodhuesi i vetëm, “Siare Engineering“ mund të prodhojë maksimalisht 500 aparatura në muaj.
Pak më pozitive paraqitet situata në Gjermani. Spitalet gjermane tashmë janë ndër më të pajisurit në Europë.
Sipas qeverisë, Gjermania ka rreth 28,000 shtretër nën kujdesin intensiv, nga të cilat 25.000 janë të pajisur me aparate frymëmarrjeje.
Franca, ku Presidenti Emmanuel Macron njoftoi mbylljen e të gjitha shkollave dhe universiteteve nga e hëna për shkak të virusit, ka 5,065 shtretër të kujdesit intensiv të pajisur me ventilatorë.