Koronavirusi mund të konsiderohet fare mirë se tashmë ka një vatër të re dhe ajo është Europa. Vendet më të mëdha europiane janë duke “lënguar” rëndë nga ky virus, i cili iu ka marrë jetën qindra personave.
Kanë pësuar një rritje të ndjeshme numri i personave të prekur nga koronavirusi në 24 orët e fundit në Gjermani.
Sipas të dhënave nga Instituti për Sëmundjet Infektive, “Robert Koch”, personat e infektuar nga virusi Covid u shtuan me 2705 në një ditë, duke e çuar në mbi 16 mijë numrin në total.
Aktualisht në Gjermani raportohen 47 viktima nga ky virus, me një rritje prej 16 personash në 24 orët e fundit.
Në Holandë, numri i personave të prekur në një ditë u rrit me 637, duke e çuar në 3631 totalin, ndërsa 30 persona humbën jetën. Sipas autoriteteve holandeze në total kanë vdekur 136 persona nga mosha 63 deri në 95 vjeçare.
Franca ashtu si vendet e tjera të Europës nuk i mori seriozisht kërcënimet që paralajmëronte koronavirusi në Kinë dhe masat shtrënguese në këtë vend u morën shumë vonë.
Deri tani në vendin e Marsejezës regjistrohen 450 viktima dhe mbi 12 mijë të prekur.
Ndërkohë që situate paraqitet akoma më e rënduar në Itali dhe Spanjë ku nga autoritetet në këto vende raportohet se tashmë nuk ka më vende për të sëmurët në spitale.