Bota Tmerr pa fund në Itali: 793 të vdekur në një ditë

Tmerr pa fund në Itali: 793 të vdekur në një ditë

Drama në Itali nuk ka fund. 793 persona kanë vdekur në Itali vetëm këtë të shtunë. Statistikat e trishta janë bërë të ditura nga kreu i emergjencave Angelo Borrelli në daljen për mediat mbrëmjen e kësaj të shtune.

Në total numri i viktimave në shtetin fqinjë nga koronavirusi ka shkuar në 4825.

Lombardia është rajoni me shifrat më dramatike, 546 të vdekur nga e premtja në të shtunë, ndërsa Emilia Romanja ndjek me 109 viktima në orët e fundit.

Rritje e madhe është edhe ajo e të prekurve të rinj të cilët janë mbi 4800 në vetëm 24 orë, e ku edhe në këtë rast është sërish Lombardia që mban vendin e parë me mbi 3100 raste.

Aktualisht 42 681 janë pacientë pozitivë, ndërsa të shëruar janë 6072 persona nga të cilët rreth një mijë vetëm këtë të shtunë.