Europa dhe Azia Qendrore janë edhe një herë epiqendra e pandemisë së Covid-19 me rreth 500 mijë vdekje të tjera që pritet të shënohen deri në 1 shkurt.
Paralajmërimi i zymtë vjen nga drejtori i OBSH-së për Europën Hans Kluge. Rastet e reja u rritën 55 për qind gjatë 4 javëve të fundit, sipas Kluge, për shkak të nivelit të ulët të vaksinimit dhe mungesës së masave mbrojtëse. 59 për qind e infektimeve globale dhe 48 për qind e vdekjeve të raportuara janë pikërisht nga Europa dhe Azia Qendrore.
“Niveli aktual i transmetimit në 53 vende europiane është tejet shqetësues dhe rastet e reja po arrijnë nivele rekord të nxitura edhe nga varianti më i transmetueshëm i virusit, Delta. Duhet të ndryshojmë taktikat tona; nga reagimi ndaj shpërthimit të rasteve te parandalimi i tyre”, tha Hans Kluge.
Ekspertët e OBSH-së thonë se rreth rajonit ka një dallim të madh, në mbulimin me vaksina. Rreth 1 miliard doza janë administruar deri më tani, por vetëm 47 për qind e popullsisë europiane janë plotësisht të vaksinuar. Sipas Kluge, nëse 95 për qind e qytetarëve do të mbanin maska, mund të kishin shpëtuar 188 mijë jetë njerëzish. Ai mbrojti përdorimin e certifikatës shëndetësore, që siç tha, ishte një mjet drejt lirisë individuale.