Eva Mendes i mungon kinematografisë dhe sheshxhirimeve. Gjatë një episodi të “Today”, aktorja ka folur pa doreza për jetën e saj si nënë e dy vajzave dhe martesën me aktorin Ryan Gosling, me të cilin ajo u njoh në vitin 2012 gjatë xhirimeve të “The place beyond the pines”.
Eva dhe Ryan janë prindër të dy vajzave, Esmeralda, 9 vjeçe dhe Amanda, 7 vjeçe. Por, aktorja thotë me bindje se vendimi për të qëndruar larg Hollywood-it për kaq shumë vite është një nga vendimet më të mira që ka marrë në jetë.
“Isha shumë e vendosur që ta bëja këtë. Nëse do të kisha kohë të mjaftueshme, atë do e kaloja vetëm me fëmijët e mi”, thotë aktorja, e cila në fakt nuk e pranon që është shkëputur totalisht nga aktrimi, pasi ajo ka zgjedhur të punojë nga shtëpia.
“Aktrimi të mban shumë larg familjes, fëmijëve dhe angazhimeve të tjera personale, ndaj kjo ishte një tjetër arsye pse vendosa të largohem nga rolet në kinema prej më shumë se 10 vitesh”, shton Mendes.
Eva pranoi se ajo dhe burri i saj janë të dy në karriera respektive në kinema, duke vënë në dukje se orari i saj i punës nga shtëpia e lejon Gosling që të jetë më protagonist në role dhe filma të rinj.
“Ishte pothuajse si një marrëveshje joverbale e tipit: “OK, ai do të punojë dhe unë do të punoj. Unë thjesht do të punoj nga shtëpia,” shpjegon ajo.
Aktorja foli edhe për strategjinë e punës së Gosling, duke iu referuar postimit që bëri në Instagram gjatë ceremonisë së Oscars 2024, kur e ftoi të shoqin të kthehej shpejt në shtëpi për të vënë gocat në gjumë.
Kjo nuk është hera e parë që Mendes flet për mungesën e saj gati 10-vjeçare nga industria e filmit. Gjatë një interviste për The View në qershor të vitit 2022, ajo pranoi se ka ende një karrierë të gjatë përpara.
Eva Mendes vuri në dukje faktin se ishte e hapur për t’u rikthyer në aktrim, por me disa kushte, pasi ka disa projekte që ajo do t’i shmangte për faktin se tani është nënë e dy fëmijëve.