Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, u bën apel publik të gjithë operatorëve ekonomikë, persona fizikë, juridikë apo profesioneve të lira në fushën e ekonomisë së artit dhe industrisë krijuese që të paraqiten pranë organeve tatimore për formalizimin e aktivitetit të tyre dhe shlyerjen e detyrimeve të mësipërme.
“Administrata tatimore, ka konstatuar së fundmi se një pjesë e mirë e këtij sektori, që janë subjekt i ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to” i është përgjigjur thirrjes së saj në lidhje me detyrimet tatimore që rrjedhin ndaj tyre në funksion të zhvillimit të aktivitetit të tyre ekonomik, dhe është e gatshme të këshillojë në çdo kohë, të gjitha entet apo individët të cilët dëshirojnë të formalizohen dhe të kontribuojnë në procesin e luftës ndaj evazionit fiskal”, shkruhet në njoftimin e Drejtorisë së Tatimeve.
Përpjekja për të ndaluar evazionin fiskal e ndërmarrë në vijimësi nga organet tatimore shtrihet në të gjitha fushat e veprimtarive ekonomike, përfshi edhe ekonominë e artit dhe atë të industrisë krijuese.
“Muzika, artet pamore, publiciteti, krijimet audio vizive komerciale si pjesë themelore e ekonomisë së artit dhe objekt i konsumit të përditshëm të qytetarëve, kanë qenë dhe do të mbeten në fokusin e administratës tatimore paralelisht me çdo veprimtari tjetër ekonomike”, vijon apeli i Tatimeve.
Shqipëria është ndër të paktët vende ku artistët nuk tatohen për fitimet që realizojnë edhe pse ligji ua njeh këtë detyrim.
Administrata tatimore duket se më në fund po angazhohet që t’i japë fund evazionit fiskal në këtë industri.
Si hap të parë ajo ka nisur me njoftimin kundrejt këtyre individëve apo subjekte që ushtrojnë aktivitet në fushën e artit që të bëjnë vetëdeklarimet dhe të paguhen detyrimet përkatëse sipas ligjit.
Sipas tatimeve nëse detyrimet nuk përmbushen atëherë do të jenë strukturat hetimore ato që do të nisin kontrollet dhe verifikimet për të bërë të mundur përmbushjen e detyrimeve./American Eye