Dy shqiptarë janë dënuar me 18 vite burg pasi drejtonin një fabrikë droge në qytetin e Birmingham. Rajmond Dani dhe Adrian Gollakij u arrestuan më 12 shtator të këtij viti pasi në rrugën Hagley Road West kishin kthyer dy katet e një shtëpie në një “fabrikë” marijuane me 541 rrënjë. Po ashtu kishin gati dhe një qese të madhe kanabisi.
Adrian Gollakij u arrestua në kopshtin e pasmë të shtëpisë pasi u përpoq të ikte ndërsa Rajmond Dani u kap në korridor. Dy shqiptarët përdornin tre dhoma në katin e parë, katër në katin e dytë dhe kuzhinën për të kultivuar kanabisin. Policia gjeti pajisje elektrike, ndriçues, çarçafë në dritare dhe pajisje të tjera që shërbenin për rritjen në të gjitha ambientet e mundshme të kanabisit.
Si Dani dhe Gollakij pranuan akuzën për kultivim kanabisi por u justifikuan se i kishin borxhe disa njerëzve të cilët i kishin ndihmuar të hynin dhe qëndronin ilegalisht në Angli.
Avokati i Rajmond Danit John Brotherton, tha se kishte ardhur në Mbretërinë e Bashkuar duke menduar se ai do të bënte punë ndërtimi në vend se të punonte në një fabrikë kanabisi kurse Babir Adris, avokati i Adrian Gollakij, tha se ishte i arsimuar, nuk kishte qenë këtu shumë kohë dhe se shpresonte të merrte vetë një jetë më të mirë.