Më shumë se një milion njerëz kanë nënshkruar një peticion për shkarkimin e senatorit Fraser Anning nga parlamenti australian, pas deklaratave të tij kontraverse në lidhje me sulmin terrorist në dy xhami, në Christchurch të Zelandës së Re.
Peticioni është iniciuar nga neurologia Kate Ahmad në platformën më të madhe në botë “change.org”.
“Pikëpamjet e senatorit Fraser Anninga nuk kanë vend në qeverinë e Australisë, në demokracinë tonë dhe multikulturalizmin e shoqërisë sonë. Në përputhje me ligjet e Australisë, ai duhet të japë dorëheqjen nga pozicioni i senatorit, apo dhe të ndëshkohet për mbështetjen e terrorizmit të krahut të djathtë”, thuhet në shpjegimin e peticionit.
Anning tha se shkaku kryesor i masakrës ishin vetë myslimanët që u lejohej që të emigrojnë në atë vend.
Gjatë këtij deklarimi anti-emigrant dhe islamofobik të Anning, një i ri, Will Connolly e goditi atë me vezë në kokë.
Ndërsa kryeministri australian Scott Morrison, i dënoi deklaratat e Anning dhe i quajti ato të neveritshme.