Të gjithë qytetarët që nuk kanë kryer pagesa ndër vite të kërkuara për regjistrimin e pronave të tyre, do të përfitojnë amnisti.
“Shteti shqiptar ka shpenzuar 200 milionë dollarë në procesin e regjistrimit. I gjithë ky lum parash ka lënë pas dhjetëra mijë procese gjyqësore, qindra të vrarë dhe bllokimin e mijëra aktiviteteve ekonomike. Qeveria do të marrë të gjithë përgjegjësitë e kësaj situate. Amnisti për vargun e pagesave të pa kryera në vite. Ligji i ri nuk do të sjellë lumturim për një ditë, por rrugë tjetër nuk ka” tha Lame.
Në një dalje për Mediat, Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZN-it, Artan Lame, bëri me dije se 80 për qind e pronave të regjistruara në vend janë me gabime dhe se ligji i ri për kadastrën do ta vërë në shina këtë problematikë.
“Presidenti miratoi me heshtje ligjin për Kadastrën. Ligji shmang burokracinë, shkrin në një të vetëm disa nga institucionet që merren me pronat. Thelbi është zvarritja 30-vjeçare. 80% e pronave në Shqipëri janë të hedhura me probleme”.
Ligji “Për Kadastrën” hyn në fuqi më 22 Mars dhe më pas do të nisë procesi i strukturimit të institucionit ligjzbatues, që do të jetë Agjencia Shtetërore e Kadastrës.