Aktualitet Falsifikoi veprat e Kadaresë, detyrim paraqitje për pronaren e “Librit Universitar” në...

Falsifikoi veprat e Kadaresë, detyrim paraqitje për pronaren e “Librit Universitar” në Tiranë

Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë detyrim për t’u paraqitur për Mirela Bardhin e akuzuar për “Shkelje e të drejtave të pronësisë Industriale” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedimin penal pas kallëzimit që ka bërë Enxhi Hudhri e cila përfaqëson shtëpinë botuese “Onufri”.

Kjo shtëpi botuese ka të drejtat për të botuar librat e shkrimtarit Ismail Kadare.

Hudhri në kallëzimin që ka bërë ka sqaruar së nga data 1 gusht 2023 deri në datën 1 janar 2024 libraria e quajtur “Libri Universitar Book Store”, nuk ka deklaruar shitje të asnjë libri të Kadaresë. Ky fakt ka ngjallur dyshime tek Hudhri dhe ka shkuar në këtë librari për të bërë një verifikim të rastit. Ajo ka shkuar në librari në datën 09.04.2024 dhe ka bërë blerje të 3 librave me autor Ismail Kadare, përkatësisht librat me titull “Prilli i thyer”, “Kush e solli Doruntinën” dhe “Kronikë në gur”, botime këto që nuk janë të shtëpisë së tyre botuese dhe janë kopje e paautorizuar nga ana e tyre.

Në lidhje me këto blerje Enxhi ka marrë dhe kupon tatimor duke iu ofruar si libra të rregullt dhe të ligjshëm. Pas marrjes së kallëzimit, hetuesit kanë shkuar pranë librarisë “Libri Universitar Book Store” dhe janë sekuestruar të gjitha librat e shkrimtarit Ismail Kadare, për t’i verifikuar. Kallëzuesja ka shpjeguar hetuesve se librat origjinal të Kadaresë ndryshojnë nga kopjet tek kopertina tek ngjyra dhe nga detaje të tjera.

Nga të gjitha hetimet që ka kryer prokurori Bledar Valikaj ka rezultuar se Mirela Bardhi në librarinë e saj ka mbajtur dhe shpërndarë për qëllime fitimi kopje të paautorizuara të librave të shkrimtarit Ismail Kadare si dhe ka realizuar blerje të kopjeve të librave pa faturë tatimore.

Këto kopje janë administruar si provë, ndërsa në vijim janë sekuestruar të gjitha kopjet e falsifikuara në librarinë përkatëse.