Kryesore GJKKO rrëzon kërkesën e Berishës për heqjen e “arrestit shtëpiak”: Theu masën,...

GJKKO rrëzon kërkesën e Berishës për heqjen e “arrestit shtëpiak”: Theu masën, futi Brok në banesë

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka rrëzuar kërkesën e ish-Kryeministrit Sali Berisha dhe dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi për të hequr masën e arrestit të shtëpisë.

Avokati i Berishës, Genc Gjokutaj, tha pas përfundimit të seancës se GJKKO nuk pranoi as kërkesën për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka.

“Gjykata vendosi të vijojë masën e arrestit shtëpiak. Sot kemi dëgjuar pataksira në seancë. Po sot kemi marrë një kopje të vendimit të kësaj gjykate për rrëzimin e kërkesës tonë për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka”, u shpreh avokati.

Kurse SPAK tha në seancë se Sali Berisha ka shkelur masën e arrestit të shtëpisë, duke futur në banesë ish-eurodeputetin Elmar Brok dhe gazetarët italianë të Rai 3.

Këtë pretendim të SPAK, avokati Gjokutaj e konsideroi si lajthitje.

“Sali Berisha ka që në datën 30 dhjetor pa dalë nga dera këta thonë ka thyer arrestin në shtëpi. Lajthitja e gjykatës dhe SPAK është e tillë që nuk afekton aktivitetin e kryetarit të opozitës”.

Ish-kryeministri Berisha dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi janë me masë sigurie arrest shtëpie pasi po hetohen për privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”.