Familja princore Engjëlli është një nga familjet fisnike më të hershme në Shqipëri, e cila përmendet që në shek.XII.
Qendra administrative e zotërimeve të saj ishte në Drivast (Drisht).
Kjo familje kishte lidhje farefisnie me familjen perandorake Engjëlli, e cila hipi në fron për herë të parë më 1185 me Isakun II Engjëlli.
Figurat më të kësaj familjeje janë Pjetër Engjëlli dhe Pal Engjëlli, arqipeshkvi I Durrësit dhe kandidat për t’u shuguruar kardinal i shqiptarëve nga Papa Piu II më 1464, gjë, që s’u realizua për shkak të vdekjes së Papës.
Pal Engjëlli ka qenë dhe kancelar i parë i Gjergj Kastriot Skënderbeut. Në lidhje me stemën e Pal Engjëllit, G.Grimaldi shkruan se mbante simbolet e Urdhërit të Shën Gjergjit. Po ky autor përshkruan më gjerë stemën e familjes Engjëlli, si dhe degë të tjera të kësaj familjeje, që shkuan deri në fronin perandorak në Bizant.
Stema është e argjendtë me një kryq të kuq. Sipër, nga e majta, një engjëll i argjendtë me petka të kaltërta, që mban në dorë një degë palme të blertë. Deri më sot, përveç përshkrimit nuk kemi ndonjë paraqitje artistike të stemës së Engjëjve të Drishtit.
Papa Piu V i konfirmon Andrea Engjëllit, fisnikut, dukës, princit dhe kontit të Drishtit, Durrësit dhe Pultit të Ulët, lidhjet e tij të gjakut me perandorët romakë, si dhe me perandorët e Kostandinopojës./Gjin Varfi.