Aktualitet Familjarët e Ervis Martinajt kërkojnë lirimin e 34 pasurive të sekuestruara nga...

Familjarët e Ervis Martinajt kërkojnë lirimin e 34 pasurive të sekuestruara nga SPAK

Familjarët e të shumëkërkuarit, Ervis Martinajt kanë ankimuar vendimin e GJKKO-së për sekuestrimin e 34 pasurive të tij dhe kërkojnë lirimin e tyre.

Ankimimi është depozituar ne Apelin e GJKKO dhe pritet  hidhja e shortit për caktimin e gjyqtarit dhe caktimin e një date për shqyrtimin e kësaj kërkese.

Kërkesa për lirimin e pasurive të Martinajt dhe familjarëve të tij, do shqyrtohet nga gjyqtari Dhimitër Lara.

Rreth një muaj më parë, me urdhër të SPAK u sekuestruan pasuritë e tij dhe familjarëve, pasuri që kapin vlerën e miliona eurove, pasi dyshohet se janë vënë nga aktiviteti kriminal. Vendimi erdhi në kuadër të hetimeve për operacionin “Plumbi i Artë” pas arrestimit të Nuredin Dumanit.

Tre prokurorët e çështjes, Altin Dumani, Dolorez Musabelli dhe Behar Dibra kërkuan sekuestrimin e këtyre pasurive me argumentin se ata nuk e justifikojnë burimin e të ardhurave, kërkesë e cila u pranua nga GJKKO.

Pasuritë e sekuestruara janë aksione kompanish, toka, prona, apartamente e makina.