Politika “Farsa më e shëmtuar elektorale në 32 vjet”, Berisha prezanton raportin për...

“Farsa më e shëmtuar elektorale në 32 vjet”, Berisha prezanton raportin për zgjedhjet e 14 Majit

Kryetari Partisë Demokratike, Sali Berisha po zhvillon konferencën e posaçme për prezantimin e Raportit për zgjedhjet e 14 Majit në selinë blu. Kryedemokrati Berisha është i shoqëruar në konferencë nga grupi i punës, i cili ka përgatitur raportin.

Gjatë fjalës së tij, kreu i PD-së, Sali Berisha ka deklaruar se ky raport ka në thelb, sipas tij, manipulimin elektoral teksa ka shtuar se Shqipëria më 14 Maj të këtij viti ka kaluar farsën më të shëmtuar elektorale në historinë e saj 32-vjeçare.

Sali Berisha: Sot ne paraqesim në vija të përgjithshme raportin e PD-së për farsën elektorale 14 Maj 2023. Ky raport bazohet në qindra dhe mijëra fakte, dokumente të konstatuara në të katër anët e vendit. Në dhunimet e pashembullta të të drejtës së votës, në shndërrimin e zgjedhjeve në një farsë të vërtetë elektorale. Këto që shihni ju këtu dhe të gjitha dosjet tjera janë dokumente zyrtare që dëshmojnë se Shqipëria kaloi me 14 Maj farsën më të shëmtuar elektorale në historinë e saj 32-vjeçare. Këto dokumente do të jenë pjesë e një raporti shumëvëllimësh, i cili do publikohet, me të cilin do njihen mediat, do njihen qytetarët shqiptarë, do njihen demokratët. Por do njihen institucionet ndërkombëtare dhe qeveritë e vendeve të lira. Do gjenden modalitetet për t’u hedhur edhe në Amazon, në mënyrë që të mund të njihet mbarë komuniteti ndërkombëtar me këtë farsë të shëmtuar zgjedhore, që ka për aktor kryesor Edi Ramën, një person të inkriminuar kokë e këmbë, i cili ka tmerr dhe ferr largimin nga pushteti për shkak të aferave të tij, mega-aferave të tij korruptive, kombëtare dhe ndërkombëtare. Për shkak të mega-aferave korruptive të djegësve, të Portit të Durrësit, të Parkut të Butrintit, për shkak të mega-aferave familjare, pasurimit në mënyrë të përbindshme të anëtarëve të familjes së tij, për shkak të korruptimit që ky i ka bërë shefit të kundërzbulimit të agjencisë më të rëndësishme të zbulimit në botë, FBI, McGonigal.

Për atë që e quan “farsë elektorale e vitit 2023”, kryedemokrati Berisha thotë se u karakterizua nga pabarazia e plotë mes lojtarëve në fushën elektorale.

Sali Berisha: Nëse partia në pushtet disponoi të gjitha fondet, të gjithë makinerinë shtetërore e shndërroi në makineri elektorale, partia kundërshtare, PD, e futur në garë me të njëjtin numër kandidatësh, pati zero lekë mbështetje nga fondet publike. Rama si diktator i vërtetë, caktoi kryetarin e koalicionit të opozitës, çka nuk ndodh kurrë në një vend të lirë. Rama nuk lejoi regjistrimin e kundërshtarit politik nga frika dhe tmerri. Komisionet elektorale ishin më të pabarabartat në historinë e këtij vendi. Për herë të parë, 876 mijë qytetarë u prekën me para nga qeveria për të publikuar ose blerë votën e tyre. 1.3 milionë zgjedhësve iu ndryshua qendra e votimit. U krijua një armatë prej 520 mijë zgjedhës shëtitës.  Dita e votimit ishte ditë kulmore e farsës elektorale. Vetëm në një numër të kufizuar qendrash në bashkinë e Kuçovës janë konstatuar mbi 500 raste votimi në grup, familjar ose në shoqëri. Imagjinoni sa janë në të gjithë bashkinë e Kuçovës. Vota u kontrollua në mënyrë të tmerrshme në çdo etapë kohore të saj. Mediat ishin në kontroll të plotë të qeverisë. Rama bllokoi të gjitha ekranet televizive në funksion të fushatës së tij. Farsa elektorale e vitit 2023 u karakterizua nga pabarazia e plotë mes lojtarëve në fushën elektorale. Unë dua të falënderoj të gjithë ata që kontribuuan, drejtues lokal, kandidatë, anëtarë, mbështetës të PD, në këtë dokumentacion mijëra faqesh. Dua të falënderoj grupin e punës që është sot përpara jush për këtë raport të shkëlqyer, të plotë.