Aktualitet Rama: Studentët e Mjekësisë duhet të shërbejnë 5 vite për t’u pajisur...

Rama: Studentët e Mjekësisë duhet të shërbejnë 5 vite për t’u pajisur me diplomë

Për të frenuar largimin nga Shqipëria të mjekëve të rinj, Qeveria ka vendosur që do të duhet që në 5 vitet e para pas përfundimit të shkollës të shërbejnë në vend në profesionin e tyre për t’u pajisur me diplomë.

Projekt/ligji u mor sot nga Këshilli i Ministrave dhe u prezantua nga kryeministri Edi Rama.

Në komunikimin për mediat pas mbledhjes së qeverisë, Rama bëri të ditur se asnjë mjek i ri që përfundon studimet në universitetin publik, nuk do të pajiset me diplomë pa shërbyer për 5 vite në Shqipëri.

Ndërsa për studentët që janë aktualisht në studime dhe dëshirojnë të largohen nga Shqipëria, do të duhet të paguajnë kostot.

“Dola për të dhënë një mesazh lidhur me një vendim të rëndësishëm të qeverisë sot që ka të bëjë me studentët e mjekësisë dhe me detyrimin për të shërbyer në vend, për një kohë të caktuar. Detajet do t’i shpjegojnë ministret, por thelbi është, besoj unë shumë i qartë për çdo qytetar të Republikës së Shqipërisë që paguan taksa.

Shteti e financon universitetin publik, në këtë rast formimin e mjekëve të rinj për të mbrojtur jetën dhe për të garantuar shëndetin e të gjithë qytetarëve të vet. Nuk është njësoj si profesionet e tjera, është një profesion i lidhur drejtpërdrejtë me detyrimin e çdo shteti për tu kujdesur për shëndetin e njerëzve dhe me të drejtën e çdo qytetari, çdo familjeje, çdo të moshuari dhe fëmije për të pasur kujdes shëndetësor.

Në kushtet kur Gjermania e para dhe vendet e tjera të pasura janë duke luftuar me demografinë e tyre, me plakjen e popullsisë së tyre, me nevojën gjithmonë e më të madhe për burime njerëzore të freskëta që duhet të vijnë nga jashtë dhe ku janë bërë stacion i ndalesës së fundit për shumë profesionistë, për shumë njerëz të kualifikuar të të gjitha fushave dhe në këtë rast për mjekët, ne e kemi absolutisht të domosdoshme të ndërmarrim këtë hap, që është hapi më normal dhe hapi më i lehtë i mundshëm, që do të thotë që çdo student i mjekësisë që do hyjë në Universitetin e Mjekësisë do të duhet paraprakisht të njihet me faktin që mjekësia, studimet i ka aq sa janë dhe pastaj për tu pajisur me diplomë duhen dhe 5 vjet në shërbim të këtij populli”.

Ndërkohë që për të gjithë ata që janë në proces, vitet janë më të ulëta, të përshkallëzuara, e thashë detajet do t’i japin ministret, por është absolutisht zgjedhja e tyre, nuk është vetëm një zgjedhje.

Ndërkohë që për ata që do hyjnë në vit të parë ka vetëm një zgjedhje, nuk ka zgjedhje tjetër. Nëse duan të studiojnë mjekësi në universitetin publik, do duhet të pranojnë këtë kusht dhe nuk është një kusht, por është formati i ri i Universitetit të Mjekësisë për sa i përket marrjes së diplomës.

Natyrisht nuk ndryshon asgjë në thelb për sa i përket të drejtës dhe mundësisë së ushtrimit të profesionit pasi ajo fillon menjëherë pas 5 viteve, por ama duhet të bëhet këtu sepse për këtë paguan populli shqiptar taksa. Nuk paguan populli shqiptar taksa që mjekët që formohen me tarifa simbolike dhe në universitet që mbahet nga taksat e popullit shqiptar të ikin që ditën e parë.

Ama patjetër që nuk u ndalohet e drejta atyre që janë aktualisht në universitet që të largohen në rast se duan të largohen, por në vitin apo në vitet e mbetura do duhet të paguajnë një tarifë tjetër, tarifë e cila do përcaktohet natyrisht nga universiteti sipas ligjit, por e cila mbulon plotësisht kostot dhe nevojën që ka universiteti për të formësuar një student”, u shpreh Rama.

Sa u përket studentëve të Mjekësisë që janë aktualisht me studime, ministrja e Arsimit Evis Kushi shpjegoi se për ta do të ketë dy mundësi.

Kështu, sipas Kushit, studentët e Mjekësisë nga viti i 2 deri në vitin e 4 do të duhet të punojnë për 3 vite në Shqipëri e në fund do të pajisen me diplomë. Ndërsa studentët e vitit të 5-të dhe të 6-të do të duhet të punojnë 2 vite në Shqipëri.

Ky është opsioni i parë nëse do të pranojnë këtë marrëveshje.

Në rast të kundërt dhe dëshirojnë të largohen nga Shqipëria pas përfundimit të studimeve, atëherë do të duhet të paguajnë sa është kostoja reale e çdo viti akademik për vitet e mbetura akademike, jo për vitet që kanë kaluar.

Projekt-ligji i qeverisë do të kalojë për diskutim në komisionet parlamentare e më pas do shkojë në Kuvend për votim.