Bayern Mynih ka përgatitur thesarin e tyre për rinovimin e skuadrës në merkaton e verës. Tre përforcimet e ndjekura nga klubi bavarez mund të nënkuptojnë një investim prej 255 milionë euro nga arka e klubit.
Sport Bild ka zbuluar sot tre objektivat e bavarezëve: Lucas Hernandez (22 vjeç, Atletico Madrid), Timo Werner (22 vjeç, Leipzig) dhe Kai Havertz (19 vjeç, Leverkusen). Këto blerje do të tejkalonin investimin e bërë nga Bayern në tre sezonet e fundit në tërësi (196 milionë euro). Në listë duhet të shtojmë edhe blerjen e Benjamin Pavard për 35 milionë euro nga Stuttgart.
Lucas Hernandez është ndjekur nga Bayern që në merkaton e dimrit, kur u shfaq informacioni që kampionët aktual të Bundesligës kishin për qëllim të paguanin klauzolën prej 80 milionë euro që ka te Atletico Madrid për ta marrë atë në janar. Gjithsesi në verë do të synohet që të ulen në tavolinë me drejtuesit dhe të gjejnë një gjuhë të përbashkët komunikimi dhe vlera e klauzolës të ulet.
Kai Havertz është një mesfushor tashmë i konfirmuar në Bundesligën gjermane. Ai bëri debutimin e tij në Leverkusen kur ishte 17 vjeç dhe tashmë numëron 73 ndeshje në futbollin elitar gjerman. 19-vjeçari është lojtari më i ri që ka arritur numrin e 50 ndeshjeve të luajtura në Bundesligë.
Këtë sezon numëron 7 gola dhe debutoi me ekipin kombëtar në ndeshjet miqësore kundër Perusë dhe Rusisë. Kartoni i tij vlerësohet mbi 45 milionë euro nga Observatori i Futbollit CIES, por vlera e tij është dyfishuar deri tani këtë sezon.
Timo Werner është tashmë një nga sulmuesit e konsoliduar të Bundesligës. Dy sezone më parë ai u shpall golashënuesi më i mirë i kampionatit gjerman me 21 gola dhe tashmë i shton 9 të tjerë me Gjermaninë. Për të ka patur interes edhe Real Madrid. CIES vlerëson kartonin e tij në 78.3 milionë euro.