Politika Gjonaj: Rekomandimet e TI, pjesë e politikave të qeverisjes për suksesin në...

Gjonaj: Rekomandimet e TI, pjesë e politikave të qeverisjes për suksesin në luftën kundër korrupsionit

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, në cilësinë e Koordinatores së Task Forcës Antikorrupsion, bëri të ditur se rekomandimet kryesore të Transparency International për rajonin tonë, sa i takon luftës kundër korrupsionit, janë tashmë në zbatim, si pjesë e politikave parandaluese të qeverisë.

“Disa nga rekomandimet kryesore për rajonin që janë dhënë në raport janë tashmë në zbatim si pjesë e politikave parandaluese të qeverisjes sonë si një parakusht për suksesin në luftën kundër korrupsionit dhe rritjen e perceptimit të publikut. Në këtë raport i jepet meritë Shqipërisë lidhur me ndërmarrjen e një sërë reformash nga qeveria të cilat ndihmojnë në luftën kundër korrupsionit por që për shkak të bllokimeve herë pas here të politikës, zbatimi i tyre është vonuar”, tha Gjonaj.

Më tej, koordinatorja e Task Forcës Antikorrupsion, solli në vëmendje rezultatet e arritura nga kjo Tas Forcë në tetë muajt e fundit gjatë inspektimeve të zhvilluara në institucione të ndryshme.

“Ngritja dhe funksionimi i strukturave të posaçme për hetimin dhe inspektimin administrativ siç është Task forca antikorrupsion në bashkëpunim me të gjitha organet ligjzbatuese kanë shënuar rezultate të larta lidhur me luftën kundër korrupsionit ku vetëm për periudhën 8 mujore ka rekomanduar 327 masa administrative, 468 masa disiplinore (prej të cilave 108 prej tyre janë largime nga shërbimi civil/largime nga puna për punonjës të administratës publike që kanë shkelur ligjin) si dhe 36 punonjës të kallëzuar penalisht pranë organeve të Prokurorisë, për korrupsion dhe shpërdorim detyre”, u shpreh Gjonaj, duke shtuar se vlerësime pozitive lidhur me rezultatet e arritura deri tani, Shqipëria i ka marrë edhe në një sërë raportesh ndërkombëtare në të cilat vlerësohet më së shumti zbatimi i reformës në drejtësi dhe masat e marra kundër korrupsionit.

Ministrja Gjonaj njoftoi gjithashtu se pas një denoncimi të kryer të platformën e bashkëqeverisjes shqiperiaqeduam.al Task Forca Antikorrupsion ka kryer një kontroll të detajuar në Drejtorinë Rajonale Tatimore, Vlorë, lidhur me verifikimin e procedurave për faturat tatimore të deklaruara me vonesë, të administruara në periudhën Janar – Tetor 2018 si dhe procedurat e rimbursimit.

“Bazuar në shkeljet e konstatuara Task Forca Antikorrupsion janë rekomanduar 10 masa disiplinore prej të cilave: Largimi nga shërbimi civil i Drejtorit të Drejtorisë rajonale tatimore Vlorë. Largimi nga shërbimi civil i 3 inspektorëve kontrolli të po kësaj drejtorie. Marrja e masave disiplinore për 6 punonjës, Drejtorin e Kontrollit, përgjegjësin e kontrollit dhe 4 inspektorë kontrolli”, deklaroi Gjonaj duke theksuar se gjetjet e këtij raporti, Task Forca Antikorrupsion do ti referojë në prokurorinë e rrethit gjyqësor Vlorë, si material shtesë në vijim të kallëzimit të bërë në muajin korrik të vitit 2018 nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, bazuar në rekomandimet e TFA.