Dr. Anthony Fauci, eksperti kryesor i sëmundjeve infektive në Shtetet e Bashkuara tha të martën se numri i vdekjeve të shkaktuara nga koronavirusi në Shtetet e Bashkuara është “pothuajse me siguri më i lartë” sesa shifra e raportuar prej 80,000 viktimash dhe paralajmëroi për pasoja të rënda nëse qytete dhe shtetet rihapen shumë shpejt.
Ai i tha një paneli të Senatit që po heton reagimin e Shteteve të Bashkuara ndaj pandemisë se një numër i pa llogaritur i viktimave të koronavirusit, veçanërisht në qytetin e Nju Jorkut, kanë vdekur në shtëpi pa u përfshirë zyrtarisht në numrin total të vdekjeve në nivel kombëtar, por nuk pranoi të spekulonte se deri ku mund të ketë arritur kjo shifër.
Dr. Fauci paralajmëroi se është “tërësisht e mundur” që pandemia “të mund të përkeqësohet” në Shtetet e Bashkuara në muajt e vjeshtës nga shtatori deri në nëntor, por tha se shpresonte që deri në atë kohë vendi do të “mund të merrej me të” më mirë se deri më tani.
Presidenti Donald Trump ka nxitur bizneset dhe guvernatorët e shteteve që të rihapin ekonominë më të madhe në botë dhe të gjithë guvernatorët, me disa përjashtime, kanë lëshuar ditët e fundit urdhra për rihapjen e disa dyqaneve, restoranteve dhe zyrave me kusht që ato të ndërmarrin masa për të plotësuar disa kushte paraprake.
Por Dr. Fauci, në dëshminë nga shtëpia e tij në periferi të Uashingtonit, tha se “ekziston një rrezik real se mund të ballafaqohemi me një shpërthim të parandalueshëm” nëse udhëzimet e qeverisë, që bëjnë thirrje për një rënie të qëndrueshme të numrit të rasteve për një periudhë dy javore, injorohen para se të ketë një rikthim në jetën normale në Shtetet e Bashkuara.
“Pasojat mund të jenë të rënda”, tha ai.
Provat klinike për vaksinën kundër Covid-19
Dr. Fauci tha se tetë vaksina kundër koronavirusit po zhvillohen në Shtetet e Bashkuara.
“Nëse jemi të suksesshëm,” tha ai, “shpresojmë ta mësojmë (rezultatin e tyre) në fund të vjeshtës, ose në fillim të dimrit.”
Por ai tha se kjo është akoma e largët për miliona studentë dhe nxënës që do të ktheheshin në universitete dhe shkolla në të gjithë vendin në gusht dhe shtator.
Dr. Fauci është shfaqur shpesh në konferencat e shtypit të Shtëpisë së Bardhë për koronavirusin së bashku me Presidentin Trump, ku ai në disa raste është vënë në pozitë të vështirë sepse parashikimet e tij binin në kundërshtim me parashikimet pozitive të Presidentit se pandemia ishte nën kontroll në Shtetet e Bashkuara dhe se vendi mund të rifillonte jetën normale, duke rihapur dyqanet, restorantet dhe bizneset.