Shkollat dhe kampuset universitare në të gjithë Amerikën mund të rihapen pa problem, por zyrtarët duhet të veprojnë me sigurinë si prioritet, tha Dr. Anthony Fauci të hënën. Drejtori i Institutit Kombëtar të Alergjive dhe Sëmundjeve Infektive tha gjithashtu se edhe shkollat për moshat nën 12 vjeç duhet të rihapen, për dy arsye: ata kanë nevojë për përfitimet psikologjike dhe ushqyese nga prania në shkollë dhe prindërve do t’u duhet të modifikojnë në mënyrë drastike oraret e punës.
“Siguria është gjëja e parë që duhet të kemi parasysh, shëndeti i fëmijëve dhe i mësuesve dhe mundësia e përhapjes së koronavirusit nga nxënësit te prindërit dhe pjesëtarët e tjerë të familjes”, tha Fauci. Sa i përket kampuseve universitare, ai shtoi se testimi do të luajë faktor kyç. Sipas tij, të gjithë studentët duhet të kryejnë testin pasi mbërrijnë në kampus dhe pavarësisht rezultatit të qëndrojnë në karantinë për 14 ditë.
Komentet e mjekut vijnë ndërsa në SHBA raportohen mbi 4,7 milionë raste me koronavirus dhe më shumë se 155 mijë viktima, sipas Universitetit “Johns Hopkins”. Por pavarësisht këtyre shifrave njerëzit vazhdojnë të mblidhen privatisht dhe të mos respektojnë masat kur grumbullohen në ambiente publike.