Këshilli i Lartë i Prokurorisë nisi intervistimin e tre kandidatëve për drejtues të Prokurorisë së Posaçme, pjesë e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion. Kandidati i parë që shpalosi platformën e tij para KLP-së ishte prokurori Altin Dumani, i konsideruar edhe si favoriti në këtë garë.
Prokurori kërkoi drejtimin e SPAK duke cilësuar si pikë të fortë të tij këmbënguljen për t’i shkuar një çështjeje deri në fund dhe për t’u rezistuar presioneve e kërcënimeve. Si shembull për këtë, Dumani solli faktin që për 9 vite me radhë ka qenë nën mbrojtjen e Policisë së Shtetit.
“Kam qenë 9 vjet nën mbrojtjen e policisë sepse pika ime e fortë është që nuk tërhiqem. E kam edhe unë një pikë të dobët dhe shpesh u kërkoj falje kolegëve, sepse kur punoj harroj menaxhimin e kohës. Fokusohem shumë dhe harroj elementin kohë. Nën shembullin tim privohen nga koha që duhet t’u kushtojnë familjes edhe prokurorët e tjerë”, deklaroi ai.
Sfidë për SPAK do të jetë edhe menaxhimi i fluksit të madh të dosjeve dhe denoncimeve që pritet të adresohen në këtë strukturë. Si fillim, ai tha se do të ngrejë një mekanizëm që të vlerësojë nëse një dosje e caktuar është në kompetencë lëndore për SPAK apo jo dhe më pas foli për organizimin që do t’i bëjë Prokurorisë së Posaçme.
“Nga informacionet që kam pritet një fluks i lartë pune në Prokurorinë e Posaçme, me dosje që do të mbërrijnë si nga rrethet edhe nga Krimet e Rënda. E fillojmë punën me një numër të kufizuar prokurorësh. Së pari do të synohet shmangia e ngarkesës së panevojshme, të mos ngarkohet Prokuroria me çështje që nuk janë në lëndë të saj, duke studiuar dhe analizuar me kujdes dosjet që do të na vihen në dispozicion. Ky është filtri i parë. Hapi i dytë është që drejtuesi mund të vijë në ndihmë duke krijuar seksionet për krimin e organizuar dhe korrupsionit, sipas specializimeve. Që do të thotë, prokurorë që kanë përvojë në luftën kundër korrupsionit do të jenë te seksioni i korrupsionit dhe ata që kanë përvojë në luftën kundër krimit të organizuar do të hetojnë krimin e organizuar. Edhe oficerët e policisë gjyqësore t’i ndaj sipas specializimeve. Ka prokurorë që fare mirë mund të investohen në përzgjedhjen e oficerëve të policisë gjyqësore sipas këtyre dy ndarjeve”, deklaroi Dumani.
Pritshmëritë e publikut për rezultatet e SPAK janë të larta, por vetë kandidati për drejtues i kësaj strukture u shpreh se funksionimi i plotë i Prokurorisë së Posaçme do të kërkojë ende kohë, pa dhënë afate.
“Suksesi kushtëzohet nga funksionimi i Byrosë Kombëtare të Hetimit, që do të kërkojë ende kohë. Po ashtu, do të kërkojë kohë edhe plotësimi i plotë i të gjithë administratës së Prokurorisë së Posaçme, që janë projektuar si sektorë që kanë ndikim direkt në hetim. Plotësimi i këtyre sektorëve kërkon kohë, sepse anëtarët jo vetëm që do të vlerësohen profesionalisht, por do të duhet që të kalojnë edhe vettingun”, tha ai.
Megjithatë, Dumani u shpreh optimist se në fund të mandatit 3-vjeçar të tij, nëse do të zgjidhet në krye të SPAK, kjo strukturë do të ketë arritur rezultate konkrete në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
“Kam paraqitur vizionin tim dhe grimcat e atij bëjnë të mundur, edhe sipas projeksionit tim për SPAK, që në përfundim të tre viteve, ky vend do të ketë një Prokurori të Posaçme funksionale, të angazhuar dhe me suksese konkrete dhe të prekshme në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, tha ai.
Në platformën që prezantoi, Dumani premtoi transparencë me mediat dhe publikun përmes caktimit të një koordinatori. Transparenca tha ai do të jetë aq sa ligji dhe prokurorët e dosjeve të veçanta do ta lejojnë, krijimin e një seksioni ku qytetarët të mund të denoncojnë online në faqen e SPAK.