Sekretari i Përgjithshëm i Rithemelimit në Partinë Demokratike, Flamur Noka u shpreh sot në një konferencë për mediet në lidhje me fazën e bisedimeve për bashkimin e opozitës, se “me aleatët ne jemi në bisedime për të hedhur një tezë për krijimin e një federate”.
“Sigurisht në kontaktin e parë që kemi është diskutuar dhe është lënë që të hartohet një platformë për të konceptuar idenë e bashkimit. Dhe jemi në përpjekje të vazhdueshme për të bashkuar opozitën. Kur them për të bashkuar opozitën e kam thënë dhe e them që PD është e qartë në qendrimin e saj”, u shpreh ai.
“Kur të flasin për çështjen e qeverisë dhe për ushtarët e saj mund të përfshijnë Bravën. Brava dhe Alibasha për ne nuk janë opozitë”, tha Noka.
“Kuvendi Kombëtar i PD miratoi një rezolutë. Rezoluta qartëson shumë mirë rrugën e forcës tonë politike Aksioni opozitar dhe mosbindja civile në parlament, aksion opozitar dhe mosbindje civile në terren”, u shpreh Noka.
I pyetur në lidhje se si do të vijohet me komisionin e reformës zgjedhore, Noka tha se “ne kemi bërë punë të madhe për bashkimin e PD dhe të opozitës dhe po vazhdojmë ta bëjmë”.
“Jemi të hapur në këtë pikë dhe çdo individ tjetër që është demokrat dhe opozitar, përjashto Bravën dhe Alibashën, do jetë pjesë e punës tonë për t’u bashkuar dhe për të krijuar frontin apo federatën kundër këtij regjimi kriminal që kemi përballë”, tha Noka.
“Në këtë bashkim, përjashtohen vetëm dy pengjet, njëkohësisht mercenarët e Edi Ramës”, përfundoi Noka.