Aktualitet FES: 73 % e studentëve pohojnë korrupsionin në universitete

FES: 73 % e studentëve pohojnë korrupsionin në universitete

Fondacioni “Friedrich Ebert” (FES) në bashkëpunim të ngushtë me OJQ “Rezistencë Qytetare”, ka bërë publike rezultatet e monitorimit për nivelin dhe perceptimin e korrupsionit në 5 universitete publike, së bashku me praninë e përfaqësuesve e institucioneve të hetimit dhe parandalimit të korrupsionit.

Sipas FES, për këtë studim janë intervistuar 640 studentë, 501 studentë nga niveli Bachelor dhe 139 studentë të nivelit Master.

Sipas gjetjeve të raportit, 73% e studentëve të anketuar pohojnë se korrupsioni është i pranishëm në universitetin e tyre, ndërsa 19% e studentëve nuk japin një përgjigje, duke argumentuar se ata nuk kanë prova për praninë e fenomenit dhe vetëm 8 % mohojnë praninë e tij.

Në nivelin krahasues, Universiteti Politeknik i Tiranës duket se është më i korruptuar, në 80%, e ndjekur nga Universiteti Bujqësor me një prani të këtij fenomeni në nivelin 77%.

Studentët pranojnë se forma më e zakonshme e korrupsionit në universitete është pagesa në shkëmbim për një notë, në nivelin 43%, pasuar nga detyrimi për të blerë libra dhe favore seksuale.