Nga Çapajev Gjokutaj
Dita e flamurit premton të jetë festa më e kremtuar e shqiptarëve. Nuk është si festa e çlirimit që kremtohet vetëm në Shqipërinë londineze, madje edhe këtu disa e festojnë nesër, disa sot, kurse disa të tjerë nuk e pranojnë fare.
Nuk është si bajrami që ti e feston, fqinji ateist e sheh me indiferencë a përçmim, kurse fqinji tjetër, kristian, pret të festojë pashkët, se ato janë të tijat.
Nuk është as si 8 marsi, 1 qershori, Shën Valentini a Hallowini që grishin tani gratë, pastaj fëmijët, më tej të rinjtë a adoleshentët, kurse të tjerët i lënë përgjithësisht spektatorë a , më keq akoma, sehirxhinj.
Flamuri është i gjithë shqiptarëve që ndihen shqiptarë, pavarësisht nëse jetojnë në trojet e tyre apo në dherat e botës, ndaj dhe dita e tij preston të jetë më e festuara.
Në fakt nuk ndodh tamam kështu. Dita e flamurit festohet gjerë, por nuk është e kremtja më masive e shqiptarëve, nuk është aq e gjithëfestuar sa nata e ndërrimit të viteve psh.
Nuk dihet se çfarë e shkakton këtë. Mbase ngaqë njëra konceptohet si festë familjare, kurse tjetra si festë zyrtare a shtetërore, njëra shoqërohet nga gëzimi familjar, kurse tjetra nga respekti e veneracioni për diçka sublime.
Por mund të jetë edhe ndryshe: për arsye të njohura mes shqiptarit dhe shtetit e zyrtares ka patur tradicionalisht një lloj distance, jo gjithnjë e kanë parë veten në të njëjtin krah. Edhe sot e kësaj dite shteti e shtetarët kanë hije të rëndë, hera herës shihen vetëm në rolin e ndëshkuesit apo, më keq akoma, në rolin e zhvatësit a të të korruptuarit.
Mund të jetë kështu, mund të jetë dhe ashtu, po një gjë mbetet e njëjtë: flamuri dhe kombi shtojnë në jetën tonë një përmasë të bukur, ndjesinë se nuk je pa rrënjë, se i përket një bashkësie, një historie e kulture, një trashëgimie që këtu të bën krenar, pak më tej të shtyn të skuqesh, më tej akoma të kërkosh veprim e ndryshim, por në çdo rast të jep jetë e gjallëri.
Gëzuar ditën e flamurit, apo festën e kuqeziut, siç e quan mbesëza ime, me prirjen e lindur të fëmijës për afërsi e intimitet.
(Nga cikli ‘Katakombet e kombit’)