Aktualitet Festat rikthejnë emigrantët, mbi 29 mijë persona hynë në Shqipëri në 48...

Festat rikthejnë emigrantët, mbi 29 mijë persona hynë në Shqipëri në 48 orë

Na ndajnë edhe dy ditë nga Krishtlindjet dhe 7 nga kremtimi i ditës së Vitit të Ri, ndaj afrimi i këtyre festave ka sjellë edhe fluks në pikat kufitare të Shqipërisë, pasi mijëra emigrantë si gjithmonë preferojnë të festojnë në vendlindje.

Kështu, gjatë 48 orëve të fundit në atdhe janë rikthyer më shumë se 30 mijë emigrantë, me Kakavijën dhe Kapshticën që mbajnë rekordin e hyrjeve.

Në 24 orët e fundit nga Kakavija kanë hyrë 8650 persona dhe 2200 automjete, ndërsa s’mbetet pas as Kapshtica me rreth 7 mijë persona që kanë kaluar kufirin prej aty për të hyrë në Shqipëri. Për të shmangur fluksin në të dyja pika kufitare punohet me mbi 5 sportele.

Edhe nga Porti i Durrësit kanë hyrë në vend rreth 8 mijë persona, që kanë mbërritur me 5 tragete nga Bari dhe Ankona.  Ndërkohë, nga Aeroporti i Rinasit kanë hyrë më shumë se 3 mijë qytetarë në 24 orët e fundit dhe fluksi më i lartë i ardhjeve aty është nga Italia.

Edhe në portin e Vlorës janë vënë në lëvizje, pasi kanë hyrë 2200 qytetarë në 24 orë si dhe 130 automjete.

FLUKSI I EMIGRANTËVE:

Kakavijë – 8700 persona;

Kapshticë – 7300 persona;

Porti i Durrësit – 8200 persona;

Porti i Vlorës – 2200 persona;

Aeroporti i Rinasit – 3000 persona;