Festë spanjolle në dy çerekfinalet e para të mbrëmjes së sotme në Champions League.
Barcelona ka hedhur një hap të sigurt drejt gjysmëfinaleve të Ligës së Kampioneve, teksa ka fituar në transfertë ndeshjen e parë ndaj PSG-së, në një duel shumë entuziazmues që dhuroi emocione deri në vërshëllimën përfundimtare që dhuroi 5 gola. Braziliani Raphinha ishte heroi i skuadrës së Xavit me dy golat e tij.
Raphinha i dha avantazhin Barcelonës në pjesën e parë, ku vendasit rrallëherë iu afruan portës. Por PSG e nisi me vrull pjesën e dytë dhe falë dyshes Dembele-Vitinja përmbysi sfidën brenda pak minutash.
Por Xavi gjeti zëvendësimet e duhura dhe fillimisht futi në lojë Pedrin i cili dha asistin për barazimin e Rafinjas, ndërsa më pas edhe Kristensen i cili shënoi vetë golin e avantazhit 3-2 të katalanasve që rezistoi deri në fundin e takimit.
Fiton edhe Atletico Madrid. Skuadra e Diego Simeones triumfoi 2-1 në Madrid përballë Borussia Dortmund.
Skuadra e Diego Pablo Simeones, iu fal golave të De Paul dhe Linos, në minutat 4 dhe 32-të, ndërkohë që goli i Haller në minutën e 81-të e mban të ndezur shpresën e Dortmundin për një përmbysje të mundshme në sfidën e kthimit.
Duelet e kthimit do të zhvillohen të martën e ardhshme (16 prill), nga të cilat do të mësohen edhe dy ekipet gjysmëfinaliste.