Blendi Fevziu thotë se Shqipërisë i duhet ndryshimi i pushtetit, por opozita nuk ka mundësi t’i fitojë zgjedhjet e ardhshme përballë Ramës.
I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, Fevziu tha se situata e Berishës, në arrest shtëpie, pritet të vijojë pasi hetimet mund të zgjasin me vite, ndaj ky do të jetë një problem për opozitën.
“Me sa di, hetimet zgjasin edhe dy vjet, pra mund ta mbajnë deri në zgjedhje. Nuk besoj se do ti ngrenë akuzë, por të drejtën e hetimit e kanë dy vite. Një ngërç opozita e ka, që Berisha është i mbyllur.
Protesta e para një jave, la një shije disi ndryshe. Nuk kishte pasur aq njerëz që para një viti e gjysmë, pra tregoi se një lloj tentative për një lloj mirëkuptimi, serioziteti brenda opozitës, shpërblehet në pjesëmarrje. Pra shoqëria e sheh kur nuk je serioz dhe kur je serioz. Tentativa e parë për tu bashkuar, u reflektua me dalje në rrugë. Shumë pak është por është ndryshim nga tre muaj më parë.
Nuk kam ndonjë shpresë se opozita mund të fitojë zgjedhjet e ardhshme me Ramën. Opozita nuk ka sjellë ndonjë risi të madhe, ndonjë personazh të ri, që të ngjallë entuziazmin. Kanë ikur edhe shumë shqiptarë, votues të opozitës, zhbalancohet balanca elektorale. Elektorati gri është vështirë të kalojë te opozita pavarësisht pakënaqësisë ndaj Ramës.
Por ndonjëherë më mirë një rrotacion i keq, sesa mungesa e një rrotacioni fare”, tha Fevziu.