Furtunë mbi Chelsea-n nga FIFA. Qeveria botërore e futbollit ka vendosur të pezullojë merkaton e bluve të Londrës në dy sesionet e ardhshme, pra në verë dhe në janarin e 2020-ës.
Ky vendim është marrë nga FIFA me pretendimin se është shkelur neni 19 që ka të bëjë me transferimin e minorenëve. Pas shpalljes së këtij vendimi, londinezët deklaruan se kanë nisur menjëherë procedurat e apelimit.
Një problem tepër serioz për Chelsea-n, që me këtë vendim rrezikon të ushtrojë të drejtën për të blerë Gonzalo Higuainin. El Pipita është i destinuar të kthehet tel Juventusi në qershor, për të kërkuar më pas një tjetër destinacion.
Pezullimi i merkatos bllokon në njëfarë mënyrë edhe lëvizje të tjera, siç mund të ishte transferimi i Hazard te Reali i Madridit, pasi londinezët nuk do të kishin mundësi për të blerë lojtarë cilësorë për të mbushur boshllëqet e krijuara.