Një ditë pas zyrtarizimit të trajnerit të ri, Skënder Gega, Kukësi njofton se që në muajin janar, FIFA e ka dënuar duke i bllokuar merkaton për 3 sesione, pas ankimimit në FIFA të ish-futbollistit Filip Zedric.
Në një postim në Facebook klubi thotë se vendimi është i padrejtë tashmë është duke u shqyrtuar në CAS.
“Klubi ju siguron se nga kjo çështje, do të dalim të fituar sepse nuk ka asgjë të vërtetë nga ajo çka pretendon futbollisti në fjalë. Mbrojtësit i është komunikuar që të bashkohet me grupin në grumbullim, mirëpo futbollisti ka refuzuar dhe për pasojë klubi e ka dënuar duke e dërguar të stërvitet me Kukësin B (aktiv asokohe). Futbollisti nuk e ka marrë parasysh këtë dënim të klubit, duke u larguar nga Shqipëria e duke shkelur kontratën dhe njëkohësisht duke bërë një denoncim me pretendimin se nuk është paguar. Klubi ka dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm në CAS dhe tashmë jemi në pritje të vendimit për të fituar gjyqin!”, thuhet në njoftimin e Kukësit.