Nxënësit e Shkollës së Mesme Profesionale “Arben Broci” në Shkodër hanë fasule përditë. Skandali u zbulua gjatë një investigimi nga emisioni “Fiks Fare”.
Gazetarët vëzhguan disa ditë konviktin e kësaj shkolle, ku fëmijët vuanin nga i ftohti dhe ngroheshin me bombola gazi, duke rrezikuar jetën.
Në konvikt mungonte uji, ndërsa problemi kryesor ishte ushqimi. Ushqimi kryesor në menynë javore ishte fasulja, e cila iu servirej çdo ditë fëmijëve.
“Bomba” në dhomat e nxënësve
Ekipi i “Fiks Fare” konstatoi se, kushtet e konviktit të Shkollës së Mesme Profesionale “Arben Broci” ishin të vështira. Disa nxënës u ankuan për mungesën e ngrohjes. Në çdo dhomë kishte bombola gazi, ndërsa nxënësit thonë se kanë shumë ftohtë dhe se bombolat i kanë shumë frikë.
Nga ana tjetër, magazinieri thotë se ka të tjera bombola gazi në magazinë, që janë shumë të rrezikshme. Një nga nxënësit i kërkon magazinierit një bombol, por ai i thotë se nuk ka kokë për të dhe nuk ka ku ta marrë.
“Fiksi” filmoi dhjetëra dhoma të nxënësve, teksa në secilën prej tyre kishte nga një “bombë”. Gazetarët intervistuan drejtorin e Shkollës së Mesme Profesionale, i cili iu tha se nuk iu ka ngelur gjë tjetër, veçse të presin nga momenti në moment që këto “bomba” të shpërthejnë.
“Nuk kemi mënyrë tjetër ngrohjeje”, thotë ai.
“Përditë hamë fasule dhe pimë çaj”
Krahas problemit të ngrohjes, nxënësit e Shkollës së Mesme Profesionale “Arben Broci” ankohen edhe për ushqimin skandaloz që serviret në konvikt. Ata thonë se iu japin përditë vetëm fasule.
“Hamë përditë fasule. Kemi ndonjëherë makarona dhe në mëngjes kemi çaj e djathë”, thonë ata, ndërsa shtojnë se fasulet nuk iu janë hequr përgjatë të gjithë vitit.
Nisur edhe nga kjo meny, gazetarët e “Fiks Fare” pyetën kuzhinieren e konviktit, së cilës i thanë se përse duhet që fëmijët të hanë vetëm fasule. Ajo thotë se këto i sjellin.
“Këto më sjellin, këto u gatuaj”, shprehet ajo. Kamera e “Fiks Fare” filmoi edhe drekën e nxënësve. Ata hanë fasule, ndërsa në tavolinë të binin në sy edhe gotat e kauçukut.
Gazetarët shkuan në konvikt edhe ditën tjetër. Fëmijët kishin përsëri çaj me djathë në mëngjes dhe fasule në drekë. “Fiksi” pyeti kuzhinieren, por ajo u thotë që kanë edhe ëmbëlsira e fruta.
“Sot qëlloi që nuk kishim”, shprehet ajo, ndërsa nxënësit kanë edhe ankesa të tjera, se kuzhinierja iu merr ushqimin.