Një familje në Manzë të Durrësit paguan ujin prej 6 vitesh edhe pse nuk ka. Ata janë detyruar të hapin një pus pasi nuk kanë gjetur zgjidhje nga Ujësjellsi i Durrësit.
Hamit Gjoka, kryefamiljari shpjegon me librezë në dorë se është taksapagues i rregullt.
“Kam 6 vjet që paguaj ujin. Shikoni librezën dhe kur vjen puna nuk kam ujë në çezmë. Jam detyruar të hap pusin që më ka kushtuar 5 milionë lekë dhe ndërkohë vazhdoj të shpenzoj ende, pasi blej ujin e pijshëm. Jetoj me bashkëshorten, jemi pensionistë dhe nuk na del. Kemi vajtur te Ujësjellësi i Durrësit, ata na kanë çuar tek dega e Shijakut nga varemi ne, por edhe këta të fundit nuk na kanë dhënë zgjidhje. I jemi drejtuar emisionit Fiks Fare për të na ndihmuar”, shprehet z.Gjoka.
Fiks Fare iu drejtua Ujësjellës Kanalizimeve të Durrësit. Ky i fundit na drejtoi tek dega e Shijakut, pasi sipas zëdhënësit, i cili nuk donte të fliste përpara kamerës nuk kishin asnjë ankesë nga qytetari.
Fiks Fare iu drejtua Degës së Shijakut. Drejtuesi Ivo Doçi fillimisht tha se nuk ishte në djeni të situatës, por më pas e pranoi që e njihte këtë problem të qytetarit. “Nuk jemi në djeni megjithatë e njoh si problem, por nuk kemi marrë asnjë ankesë zyrtare nga qytetari, megjithatë do ta verifikojmë”, u shpreh Doçi.
Fiks Fare në Manzë ballafaqoi kryefamiljarin Gjoka me drejtuesin Doçi. Ky i fundit pasi verifikoi së bashku me specialistët rastin pranoi se e njihte si problem dhe premtoi zgjidhje.
“Do t’i japim zgjidhje sa më parë. Qytetari ka të drejtë. Unë e njoh si problem, megjithatë do të ndërhyjmë në depon e ujit dhe do t’i japim drejtim”, përfundoi Doçi.