Pa asnjë droje se mund të më quajnë nostalgjik, e vërteta është se para vitit 1990 askujt nuk i shkonte mendja tek mafia shqiptare, familje mafioze, krim ekonomik, banda, oligarki financiare, drogë dhe përleshje mes grupeve të ndryshme, vrasje në mesin e ditës, vrasje nga errësira, në rrugë, në makinë, në lokale, në shtëpi, nganjëherë edhe jashtë Shqipërisë; gjëma radhë pas radhe, nga njëri vëlla tek tjetri; deputetë që nisin sherret dhe që, pas sherreve, ose kanë fituar të drejtën e një licence, ose kanë marrë lejen e ndërtimit të disa pallateve; të panjohur që i futen politikës dhe largohen po ashtu, të panjohur, por të pasur, arrogantë dhe pa asnjë përgjegjësi shoqërore; askush nuk e ka menduar se mund të vijë një ditë dhe pas disa vrasjeve, nuk ka asnjë vrasës; që një bankier të vritet në mesin e ditës në hyrjen e bankës që drejton dhe kjo bankë është në mesin e Tiranës.
Kush ka menduar se një deputet si Xhindi do të vritej dhe megjithë premtimet e bujshme të ish-Ministrit të Brendshëm Nishani se ishin shumë afër zbulimit të së vërtetës, gjithçka do të binte në heshtje. Askush nuk do të kish menduar se një vit si ky i tashmi do të ishte i mbushur me kronikat e njëpasnjëshme të drogës që zihet, që kalon përmes detrave, që bëhet mollë sherri për disa vende njëherësh dhe që, një baron droge si Klement Balili do të bëhej shkak, i vërtetë ose i sajuar, për t’u mbledhur Këshilli i Sigurimit të Shtetit në një seancë të jashtëzakonshme.
Në atë kohë, pra, para vitit 1990, shteti bënte ligjin, të shtypte dhe të detyronte të mbyllje gojën, nëse nuk i bindeshe – të tregonte derën e burgut që ishte e rëndë e për disa nuk hapej më…të shkollonte, por edhe të tregonte se ku e kishe vendin…shumë nga vjedhësit ordinerë merrnin nga pas edhe një “agjitacion e propagandë”…
Por banda nuk kishte. Në një regjim të lirë, ku është e lirë fjala, mendimi, jeta..normalisht nuk duhet të ketë banda, …në një vend ku shteti ka të gjithë mekanizmin në duart e tij, nuk duhet të ketë vrasje; në një shtet ku ka edhe sot e kësaj dite, në emra të tjerë, sigurim të shtetit, polici, hetuesi, prokurori, gjykatë, Këshill të Lartë të Drejtësisë, ministër të brendshëm, kryeministër, president…ku bëhen përgjime të ligjshme e të paligjshme..ku njerëzit e politikës më shumë përgjojnë njëri tjetrin se sa bandat..në fund të fundit duhet të ketë një fund kjo marrëzi që sot quhet..luftë mes bandave..krim i organizuar…oligarki financiare…politikë e lidhur me krimin…parlament i kriminalizuar…familje mafioze… banda…
E gjithë kjo tallavi e detyroi ambasadorin amerikan të flasë, ndoshta më haptas se asnjëherë tjetër se, në këtë vend, kështu si është ecur deri tani, nuk mund të bëhet më tutje.
Kushdo që mund të mendojë se diplomati i lartë amerikan foli ashtu si është bërë traditë nga si përfaqësuesit e tjerë, që e trashin zërin dhe akuzën në fund të mandatit të tyre, janë të gabuar.
Ka dy gjëra në këtë mes: ose problemet janë thelluar ku nuk shkon më dhe kjo gjendje nuk mund të tolerohet më tej, ose, dhe kjo është më e hidhura, strukturat e deritashme të shtetit shqiptar nuk janë në gjendje të luftojnë krimin, pasi, ose janë bërë pjesë me të, ose krimi i ka mposhtur.
Në shumë institucione të rëndësishme europiane, ku trajtohen edhe problemet e shtetit shqiptar në çështje të sigurisë dhe të stabilitetit, shqetësimi prej kohesh është rritur dhe jo rastësisht qeverisë se tashme shqiptare i është përcaktuar njëra nga përparësitë e saj: mposhtja e krimit të organizuar.
Nëse gjendja është kaq alarmuese, saqë për të trazimi është përhapur në dy kontinente, atëherë duket të ketë edhe përgjegjës për këtë.
Pushteti i koncentuar i mazhorancës së sotme kërkon një rrjedhë logjike të ngjarjeve.
Asnjë prej premtimeve të tij nuk mund të barten, nëse nuk hiqen qafe bandat që e kanë “pushtuar” politikën, jo vetëm tek kundërshtarët politikë, por edhe brenda “vathës.
Përgjegjësia bie edhe mbi Ministrin e Brendshëm, që edhe pse sa ka hyrë në botën e enigmave të strukturës që drejton, është njeri i ligjit, dhe megjithëse opozita ka drejtuar gjithë bateritë rreth tij e mbi të, ai sot për sot, mund të jetë nga të paktët që mund të bëjnë si duhet këtë detyrë. Mund ta bëjë nëse spastron dikasterin e tij nga të gjithë ata që kanë heshtur, janë bërë pjesë e rrjetit të krimit ose nuk e kanë penguar atë. Mund të jetë i suksesshëm nëse nuk ia vë veshin opozitës në krakaritjet e saj dhe e bën detyrën, si i thonë, si më i miri në punën e tij.
A ka krimi një fillesë?
Ishte rastësi përhapja e tij dhe pse ai u bë kaq i fuqishëm brenda pak viteve, sa që arriti të jetë njëri ndër “eksportet” e njohura shqiptare? Ndoshta pak vetë e dinë, por në burgjet zvicerane ka shumë më tepër shqiptarë, se sa vendas dhe mbi 90 për qind e tyre janë të lidhur me vepra të përbashkëta, që në shqip i quajmë banda?
Është e vërtetë se krimi dhe bandat nuk kanë ngjyrë partiake, por po aq e vërtetë është se bandat dhe familjet mafioze nuk mund të jetonin më gjatë nëse nuk kanë mbështetjen e politikës.
Fillesa e krimit është kur ai u bë palë me politikën. Ajo që përcaktohet se nuk ka ngjyrë politike është vetëm pamja e jashtme, e vërteta që duket, ndërsa ajo që qëndron pas saj, zhytur si një ajsberg, është se pa mbështetjen e politikës asnjë bandë, asnjë familje mafioze nuk mund të jetonin kaq gjatë, sa që sot të cilësohet se 20 familje mafioze (përse vetëm 20?) e drejtojnë sot këtë vend.
Fillesa e lidhjeve mafioze politikë plus banda janë edhe fillesat e krimit në jetën tonë të përditshme. Mundet që më pas ata të dalin jashtë kësaj orbite, por sot për sot ata janë brenda saj.
Klanet mafioze të ngritura pranë PD-së, jo vetëm tani, por që në fillimet e jetës së saj politike, jo vetëm janë të njohura, por kanë emrin e tyre edhe në jetën e tashme. Më shumë se kaq, kanë diktatin e tyre. Ata, edhe sot e kësaj dite, kanë të krijuar rrjetin e tyre, fillimisht përmes “besnikërisë” ndaj të parit të tyre, më pas, si ndodh gjithnjë, përmes lidhjeve financiare të fuqishme. Edhe sot e kësaj dite gjen rrallë ish polic të kësaj kohe që nuk ka në pronësinë e tij të paktën një restorant, që i ka bërë me “rrogën” e policit.
Disa prej tyre, me kalimin e pushtetit tek socialistët, ndërruan mend, u bënë forca goditëse të së majtës, e rritën pasurinë, ndonjëri u bë edhe deputet i saj, synoi edhe qeverinë, kur nuk iu desh më socialistëve kaloi përsëri nga e kishte nisur, si mund të ndodhë edhe më të tjerë.
Socialistët deri në vitin 1997 ishin si të thuash, të imunizuar, nga prania e bandave të lidhura me të. Ndodhte kështu pasi, ajo fillimisht ishte paraqitur si një lëvizje politike e moderuar, dhe ashtu ishte, por edhe nga fakti se askush nga bandat që po krijoheshin nuk kishte interes të lidhej me socialistët, të cilët, si kishte deklaruar në Shkodër Berisha-president, nuk do të vinin në fuqi as për 50 vite!
Cilës bandë i interesonte të lidhej me një forcë që për gjysmë shekulli nuk do e dinte se ku e kishte kokën e saj?
Socialistët e panë se nëse nuk do të bënin për vete disa nga këto të fuqishëm, do e kishin të vështirë të vinin në pushtet, pasi votat do u vidheshin përsëri, tensioni do të shtohej, njerëzit do të bliheshin e do të shiteshin përmes dhunës. Loja me pushtetin afroi “të fortët” , të cilët, më pas donin hakun e tyre.
Fillesa e botës mafioze në Shqipëri vazhdon të mbetet tek lidhjet e saj me politikën. Jashtë politikës ajo nuk ka forcë të veprojë për shumë kohë. Do të asfiksohej gradualisht dhe do të mposhtej.
E keqja nuk ka fund kur vetë familja politike e mban afër botën mafioze.
Dhe nëse nuk pastrohet politika nga njerëzit e mbrapshtë të saj, askush, as ambasadori Lu, të mos presë se ky vend do të shpëtojë nga kjo e keqe.
Bedri Islami /DITA