Ishte viti 1989. Në Universitetin Politeknik i Tiranës (UPT) ndodhi një ngjarje historike: lidhja e parë e Shqipërisë me internetin. Katedra e informatikës në UPT realizoi një lidhje internet me Universitetin e Pizës në Itali. Ky ishte i pari hap eksperimental që e prezantoi Shqipërinë me revolucionin e internetit.
Megjithatë, interneti komercial në Shqipëri do ta niste rrugëtimin vetëm në vitin 1995, falë një serveri të instaluar nga shoqëria “Infosoft”, por që përfaqësonte një formë elementare të lidhjes. Mesazhet drejt rrjetit grumbulloheshin të gjitha dhe dërgoheshin me intervale të caktuara drejt Italisë, prej nga më pas bëhej shpërndarja përfundimtare.
Në vitin 1996, UNDP mundësoi një server interneti për organizatat jo-fitimprurëse. Por, shpërndarja masive e shërbimit nisi vetëm pas vitit 1997. Fillimisht disa operatorë privatë e më pas “Albtelecom”, përmes shërbimit dial up, ofronin shërbim interneti nëpër banesa dhe zyra.
Internet-kafeja e parë në Shqipëri është hapur në vitin 1999 dhe tarifat ishin mjaft të larta, deri në 500 lekë/ora. Gjatë viteve në vazhdim internet-kafetë do të ishin ndër bizneset më në modë. Numri i tyre u rrit ndjeshëm dhe tarifat gradualisht ranë deri në 100 lekë/ora. Por, deri në vitin 2005 përhapja e internetit ishte shumë modeste. Për shkak të investimeve të pakta, deri në vitin 2005 internetin vlerësohet se e përdornin më pak se 5% e shqiptarëve, shumica në internet-kafe.
Vitet në vijim sollën një rritje me ritme shumë më të larta të përdorimit të internetit. Mbështetur në të dhënat më të fundit, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare vlerëson se janë gati 2.2 milionë shqiptarë që përdorin internetin me brez të gjerë nga rrjetet e lëvizshme, ndërsa numërohen rreth 280 mijë abonentë me linja fikse.
Domaini i parë, upt.al
Shqipëria u pajis me një zonë të vetën domainesh në vitin 1992, me zonën “.al”. Po atë vit, u regjistrua edhe domaini i parë në këtë zonë. Domaini i takonte Universitetit Politeknik të Tiranës dhe adresa ishte “upt.al”.
Mbështetur në të dhënat më të fundit nga AKEP, në fund të vitit të kaluar numri total i domaineve të regjistruar në Shqipëri ka arritur në pak më shumë se 18 mijë. Rritja e përdorimit të internetit dhe liberalizimi i procedurave të regjistrimit ka sjellë rritje të lartë të domaineve në zonën shqiptare gjatë viteve të fundit. Vetëm vitin e kaluar, u regjistruan rreth 5800 të tillë.
Aktualisht, regjistrimi i domaineve mund të bëhet në shtatë kompani të akredituar nga AKEP për këtë funksion. Regjistrimi fillestar i një domaini bëhet për një periudhë pesëvjeçare, për të cilën çdo regjistrues parapaguan në AKEP një tarifë prej pesë mijë lekësh.
Shërbimi i regjistrimit të domaineve mund të ofrohet nga çdo kompani e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, duke u akredituar më parë në AKEP. Deri më sot, AKEP ka akredituar shtatë operatorët për ofrimin e këtij shërbimi.
SCAN Magazine