Sport Fillimet e Messit, trajneri më i mirë dhe Milanin plot me yje,...

Fillimet e Messit, trajneri më i mirë dhe Milanin plot me yje, rrëfehet Ronaldinho

Ishte një nga yjet më të mëdhenj në historinë e fundit të Barcelonës, duke treguar klas dhe gjenialitet në fushë. Po flasim për brazilianin Ronaldinho, i cili i “vari këpucët në gozhdë” në vitin 2018. Ish-kampioni i botës ka dhënë një intervistë për revistën “Panenka”. Këto janë fjalët e tij.

BARCELONA

“Unë ndryshova historinë e Barcelonës? Jo, ishte një grup lojtarësh, që po kalonin një kohë të mirë. Ishte gjithçka shumë e bukur, nga dita e parë deri në ditën e fundit. Ishte gjithçka e veçantë. Kur mbërrita aty, mijëra njerëz më prisnin në stadium. Rijkaard? Ai është një trajner i shkëlqyer, më i miri, me të cilin kam punuar ndonjëherë. Dinte gjithçka, pasi kishte luajtur në nivelet më të larta. Ai më foli në mënyrë të thjeshtë dhe të drejtpërdrejtë, duke më dhënë shumë liri në fushë, pavarësisht nevojave taktike”.

MESSI

“Mbaj mend që, kur mbërrita në Barcelonë, tashmë flitej për një djalosh, i cili shquhej nga gjithë të tjerët. Pastaj filluam të luanim së bashku dhe u bëmë miq. Është e shkëlqyeshme të shohësh hapat e parë të dikujt, që do të pushtonte botën. Së bashku mësuam shumë gjëra. Ai më mësoi spanjisht, ndërsa unë i mësova gjuhën portugeze. Lionel është shumë i qetë, kurrë nuk nervozohet. Ai është gjithmonë me familjen e tij dhe njerëzit më të afërt. Nëse mund t’i jepja atij një cilësi timen? Ai nuk ka nevojë për të, tashmë ka gjithçka”.

MILAN

“Ishte një ekip i mrekullueshëm. Kishim Kaka, Pirlo, Beckham, Seedorf, Ibrahimovic, Thiago Silva, Gattuso, Maldini. Dukej si një përzgjedhje e më të mirëve në botë”.