Disney njoftoi planin e tij për të ribërë një numër filmash të njohur përfshirë edhe komedinë jashtëzakonisht të suksesshme “Home Alone”.
Pas këtij lajmi që u prit me mjaft kritika nga fansat e dy filmave të parë të viteve ’90, ka reaguar vetë Kevin McCallister, ose Macaulay Culkin, i cili vendosi të argëtohej pak me idenë e një filmi të ri dhe postoi një foto qesharake të vetes.
“Kështu do të duket një version i ri i ‘Home Alone”, shkruante ai në përshkrimin e fotos ku shfaqej i ulur në kolltuk me barkun e fryrë dhe duke mbajtur një pjatë me ushqim para një laptopi.
“Disney” raportoi të mërkurën se filmi klasik i viteve ’90 do të risillet për brezin e ri, së bashku me filmat “Night at the Museum” dhe “Diary of a Wimpy Kid”.
Në filmin “Home Alone”, i cili pati dy pjesë, luante Macaulay Culkin si 8-vjeçari guximtar Kevin McCallister, i cili u detyrua të mbrojë shtëpinë e tij nga dy hajdutë, pasi prindërit e lanë vetëm për pushime.
Nuk e dimë ende se kur do të nisë xhirimet filmi i ri apo se cilët do të jenë aktorët, por disa nga fansat i kanë kërkuar aktorit Culkin që të luajë rolin e të atit të Kevin.
Të tjerë e kanë kritikuar Disney-n për mungesë të origjinalitetit dhe thjesht nuk janë dakord që “Home Alone” të bëhet sërish nga e para.