Teksa e gjithë bota është mbërthyer nga ethet e koronavirusit, industria e filmave mund të thuhet se është e vetmja që po nxjerr fitime gjatë këtyre ditëve, pasi miliona njerëz në të gjithë globin janë vetë-izoluar në shtëpitë e tyre për shkak të situatës së krijuar nga përhapja me shpejtësi e Covid-19.
Shikimi i filmave është një ndër mënyrat më të mira për të kaluar kohën këto ditë të vështira.
Mediat e huaja shkruajnë se filmi “Contagion”, një prodhim i vitit 2011, është renditur si një ndër filmat më të shikuar gjatë periudhës së shpërthimit të koronavirusit. Filmi flet për një virus pandemik që shpërndahet me shpejtësi, i cili u merr jetën 26 milionë njerëzve në të gjithë botën. Në film bëhet fjalë për virusin e quajtur MEV-1.
Ai ka origjinën në Azi dhe transmeton përmes prekjes, ndërsa simptomat e tij janë të ngjashme me koronavirusin. Shumë njerëz e kanë cilësuar këtë film si “parashikuesin” e mbërritjes së koronavirusit.
Filmi është prodhuar nga gjigandi Warner Bros. Ata kanë njoftuar se “Contagion” rezulton filmi më i kërkuar në katalogun e Warner Bros, pas Harry Potter.
“Contagion” aktualisht është ndër filmat më në trend në platformat Amazon Prime dhe iTunes, si dhe renditet ndër katër filmat më të shikuar gjatë kësaj periudhe sipas IMDb.