Nëse dëshironi të jetoni të lumtur duhet të jetoni në Finlandë pasi ky shtet është renditur për të shtatin vit radhazi si vendi më i lumtur në botë nga një raport i OKB-së.
Raporti botëror i lumturisë merr parasysh indikatorë shumë të ndryshëm socialë, ekonomikë dhe kulturorë, por një nga faktorët më të rëndësishëm ka të bëjë me nivelin e besimit të opinionit publik mbi institucionet e vendit, qeverisjes dhe solidaritetit social.
Finlanda e cila është në krye të listës për të shtatën vit radhazi, ndiqet nga Danimarka dhe Islanda.
Sipas raportit, Norvegjia, Suedia, Gjermania, Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Spanja janë vende ku të moshuarit tani janë dukshëm më të lumtur se të rinjtë, ndërsa e kundërta ndodh në Portugali dhe Greqi.
Nga ana tjetër, Gjermania bëri një rrëshqitje të ndjeshme në rënie, nga vendi i 16-të në vendin e 24-t.
Shqipëria rendit e 87-ta në këtë listë duke shënuar një rënie në lidhje me një vit më parë, ku renditej në vendin e 83-të. E përfshirë në listë është edhe Kosova, e cila ka ruajtur vendin e 29-të.
Studiuesit e lumturisë nuk hynë në detaje në raport se çfarë i bën saktësisht finlandezët më të lumtur se të gjitha kombet e tjera në botë.
Megjithatë, ata identifikuan një sërë faktorësh kyç që në përgjithësi i bëjnë njerëzit më të lumtur, si mbështetja sociale, të ardhurat, liria dhe mungesa e korrupsionit.
“Pra, nuk është domosdoshmërisht lumturi në kuptimin e kërcimit lart e poshtë, të gëzimit në këtë moment. Është më shumë një ndjenjë kënaqësie. Mendoj se kjo është një pikë e rëndësishme”, tha Jan-Emmanuel De Neve, një nga autorët e raportit.
Fakti është se njerëzit në vendet nordike e vlerësojnë jetën e tyre shumë lart në këto pika dhe janë të kënaqur.
Lumturia në mesin e të rinjve, të moshës 15-24 vjeç, gjithashtu ka rënë ndjeshëm në Amerikën e Veriut. Afganistani dhe Libani i shkatërruar nga lufta mbeten dy vendet më të palumtura në botë.
20 vendet më të lumtura në 2024
Finlandë
Danimarkë
Islandë
Suedi
Izrael
Holandë
Norvegji
Luksemburg
Zvicër
Australi
Zelandë e Re
Kosta Rika
Kuvajt
Austri
Kanada
Belgjikë
Irlanda
Çekia
Lituani
Mbretëri e Bashkuar