Qeveria e Finlandës njoftoi të dielën se do të aplikojë për t’u bashkuar me NATO-n, duke hequr dorë nga neutraliteti i dekadave të luftës dhe duke injoruar kërcënimet ruse për hakmarrje të mundshme, raporton CNN.
Vendimi u njoftua në një konferencë të përbashkët shtypi të dielën me Presidentin Sauli Niinistö dhe kryeministren Sanna Marin, të cilët thanë se masa duhet të ratifikohet nga parlamenti i vendit përpara se të mund të shkojë përpara.
“Një epokë e re po fillon. Kjo është një ditë historike për Finlandën”, theksoi Niinis
“Ne shpresojmë që parlamenti do të konfirmojë vendimin për të aplikuar për anëtarësim në NATO,” tha Marin gjatë një konference shtypi në Helsinki të dielën.
Masa do ta sillte aleancën ushtarake të udhëhequr nga SHBA në kufirin 830 milje të Finlandës me Rusinë, por mund të duhen muaj për t’u finalizuar pasi legjislaturat e të 30 anëtarëve aktualë duhet të miratojnë aplikantët e rinj.
Lajmi vjen në kulmin e konfliktit në Ukrainë, me Helsinkin që ka frikë se mund të jetë objektivi i radhës së Kremlinit, dhe ku nuk kanë munguar provokimet. Një zyrtar i lartë rus kërcënoi se me armët bërthamore që disponon Rusia, mund ta “rrafshojë” Finlandën për 10 sekonda.
Që prej nisjes së pushtimit të Ukrainës nga Rusia, mbështetja publike për futjen në NATO në Finlandë është rritur nga 30 në 80% në disa sondazhe.
Pasi të jenë ndjekur hapat ligjorë, atëherë NATO do të ftojë zyrtarisht Finlandën që të nisë bisedimet. Ftesë pritet të marrë edhe Suedia, vend fqinj me Finlandën. Rusia i ka paralajmëruar të dyja shtetet që të mos bashkohen me NATO-n pasi kjo do të ketë pasoja.
Operatori rus i energjisë elektrike, RAO Nordic, pezulloi të shtunën dërgesat e elektricitetit në Finlandë duke thënë se shkak për këtë janë problemet me pagesat për dërgesat e mëparshme.