Një fëmijë ka humbur jetën dhe 2 të tjerë janë plagosur rëndë si pasojë e të shtënave me armë në një shkollë në qytetin finlandez Vantaa. Dy fëmijët e lënduar, të moshës 12 vjeç, po marrin ndihmën mjekësore në një spital në Helsinki.
Policia ka arrestuar autorin, një 12-vjeçar i cili do të vendoset në një njësi të kujdesit social, sepse sipas ligjeve në këtë shtet, një fëmijë nuk mund të mbahet në qelinë e paraburgimit dhe nuk konsiderohet penalisht përgjegjës.
Ende nuk dihet se çfarë e ka shtyrë 12-vjecarin të ndërmarrë këtë veprim, ndërsa mësohet se arma i përkiste një të afërmi të autorit.
Pas të shtënave nxënësit u mbajtën brenda ambienteve të shkollës dhe autoritetet këshilluan qytetarët të shmangnin zonën.
Shkolla fillore ku ndodhi krimi shtrihet rreth 18 kilometra në veri të Helsinkit. Ajo ka rreth 800 nxënës nga klasa e parë dhe e nëntë dhe rreth 90 anëtarë të stafit.
Për ngjarjen reagoi edhe kryeministri i vendit, i cili e konsideroi ngjarjen thellësisht tronditëse dhe shprehur ngushëllimet e tij për familjen e viktimës.